Lajme Shqip Monday, 15 July 2013 17:15

Tiranë – Ashtu siç kishte paralajmëruar, Partia Socialiste ka ankimuar sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve rezultatin e disa zonave zgjedhore të qarkut të Lezhës.

Në ankimimin e Partisë Socialiste kërkohet të hidhet poshtë vendimi i KQZ-së që shpalli rezultatin e qarkut të Lezhës, duke mos marrë për bazë tabelat e KZAZ-ve, por duke iu referuar tabelave elektronike të databazës së saj elektronike, rezultat që i hoqi PS-së një mandat në këtë qark dhe ia kaloi atë Partisë Demokratike.

Javën e kaluar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi me katër votat e anëtarëve të pranishëm tabelën përfundimtare të qarkut të Lezhës, vendim që ndryshoi edhe raportin e mandateve të këtij qarku, ku mandati i katërt i së majtës i kaloi koalicionit të djathtë. Kështu i është hequr mandati Arben Ndokës nga Partia Socialiste dhe i ka kaluar Vasil Bicit nga Partia Demokratike. Vendimi erdhi pas verifikimit nga administrata të tabelave origjinale të 248 qendrave të votimit në këtë zonë zgjedhore, ndërsa për 10 qendrat e votimit të ZAZ-së nr. 13, për të cilat KQZ nuk dispononte tabela origjinale, rezultati doli pas kalkulimit të të dhënave të sistemit elektronik të KQZ-së.

Ndryshimi i rezultatit erdhi pas kërkesës së Partisë Demokratike, e cila paraqiti edhe procesverbalet. KQZ vendosi të shqyrtojë edhe njëherë rezultatin në 10 qendra votimi, ku rezultoi se Partisë Socialiste nuk i takonte mandati i 3-të. Në rezultatet paraprake të 23 qershorit në qarkun Lezhë koalicioni i majtë “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, mori katër mandate, ndërsa koalicioni i djathtë “Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim” fitoi tre mandate.