Lajme Shqip Wednesday, 17 August 2011 13:48

Tiranë – Ish-kryeministri dhe ish-deputeti i Partisë Socialiste, Ylli Bufi, kritikoi mënyrën se si Edi Rama po e drejton këtë parti, duke e bërë përgjegjës për humbjen e opozitës në zgjedhjet e fundit lokale.

Në një intervistë për një të përditshme shqiptare , Bufi, një figurë e njohur në PS, shprehej se humbja e Ramës në Tiranë më 8 maj do të thellojë krizën politike në vend, duke shtuar se elektorati nuk e sheh PS-në si një alternativë të besueshme.

“Rezultatet e zgjedhjeve të 2009-s dhe të këtyre të fundit treguan se PS nuk u afirmua si një alternativë e besueshme. Një alternativë qeverisëse nuk mund të personalizohet nga një person i vetëm, qoftë ky dhe kryetari i partisë. Krijimi i një alternative të besueshme nuk është e lidhur thjesht me hartimin e një programi qeverisës prej një grupi ekspertësh”, shprehej Bufi në intervistën e tij.

Sipas tij, humbja e Tiranës, veç procedurave manipulative të zbatuara nga KQZ dhe Kolegji Zgjedhor, mbetet një humbje me peshë të madhe politike për PS-në, jo vetëm për shkak të humbjes të kryetarit të saj, por, në radhë të parë, sepse Tirana ka qenë një “fortesë” e rëndësishme e së majtës.

Bufi mendon se rezultati i zgjedhjeve lokale është epilog logjik i bojkotit parlamentar që praktikoi PS, e udhëhequr nga Rama pas humbjes në 2009-n. Rruga e bojkotit, sipas tij, e ka lodhur elektoratin dhe shqiptarët e perceptojnë këtë situatë të lidhur me drejtimin personal të partisë prej kryetarit të saj, që veprimin e fuqishëm opozitar e ka zëvendësuar me radikalizimin jashtëinstitucional, që ka monopolizuar vendimmarrjen, duke asfiksuar forumet e saj, prandaj edhe përgjegjësia për humbjet e përsëritura zgjedhore bien te kryetari i saj.

“Vendimi për bojkotin e Kuvendit shërben vetëm për të treguar mosvullnetin e një force politike për dialog politik. Me gjithë kritikat e ndërkombëtarëve për uljen e standardeve demokratike dhe mungesën e dialogut politik, PD e ka ndjerë veten mjaft komode në miratimin e projekteve dhe vazhdimin e qeverisjes së saj “, thekson ish-kryeministri.

Sipas tij, bojkoti parlamentar ose e ashtuquajtura ‘marrëdhënie e kushtëzuar’ me Parlamentin, ka qenë një vendim tërësisht i gabuar i lidershipit të PS, që shërbeu vetëm për të kufizuar mundësitë institucionale të vetë opozitës.

“Ajo  është një “shpikje” që shërbeu vetëm për të siguruar marrjen e rrogave të deputetëve. Me sa duket, PS në shtator do të rikthehet në Kuvend. Por, nëse “marrëdhënia” do të jetë përsëri e “kushtëzuar”, kjo nuk ndryshon asgjë nga ajo ç’ka kemi parë këto dy vjet. Një PS si ajo e paraqitur në zgjedhjet e 2009-s dhe të 2011-s, nuk do të jetë në gjendje të fitojë as ato të 2013-s”, shprehej Ylli Bufi në intervistën e tij.