Lajme Shqip Wednesday, 23 March 2011 15:48

Prishtinë – Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përmes protestave, te cilat jane mbajtur në 26 komuna të Kosovës kundër arrestimeve te luftetarëve të lirisë, kanë ftuar Qeverinë e vendit që të heqë kompetencat ekzekutive te EULEX-it, duke e vënë atë vetëm në pozitën e organeve këshillëdhënëse.

Shoqatat e dala nga lufta kanë paralajmëruar protestë gjithë popullore në Prishtinë më datën 29 mars.

Në pothuajse gjitha komunat e vendit ish luftëtarët e UÇK-së protestuan kundër arrestimit të 8 ish-luftëtarëve të UÇK-së të cilët prokurorët e  misionit të EULEX-it po i hetojnë për krime lufte. Ata kundërshtuan edhe fletarrestim e lëshuar ndaj deputetit dhe ish-komandantit të UÇK-së Fatmir Limaj.

Të mbledhur në sheshet e 26 komunave të vendit në organizim të shoqatave të dala nga lufta, veteranët e UÇK-së kërkuan lirimin e menjëhershëm të të gjithë ish-luftëtarëve.

Protesta më e madhe u mbajt në Prishtinë e cila kaloi e qetë dhe ku u kërkua që menjëherë të ndërpriten hetimet ndaj ish luftëtarëve nga ana e misionit të EULEX-it.

Pjesëmarrësit thanë se heshtja e deritashme ndaj këtyre veprimeve ka qenë për hir të proceseve nëpër të cilat ka kaluar vendi mirëpo ata thonë se prej sot nuk do t’i ndalin protestat pa u liruar gjithë bashkëluftëtarët e tyre. Protesta e radhës është caktuar me datë 29 mars.

Protestuesve në Prishtinë iu drejtua Sabit Krasniqi, përfaqësues i  organizatave të dala nga lufta dega në Prishtinë. Ai kërkoi që të lirohen menjëherë të gjithë ish-luftëtarë e UCK dhe që Eulex-it t’i hiqen kompetencat ekzekutive.

Protestave u janë bashkuar edhe studentët e Universitetit të Prishtinës dhe rreth 200 organizata joqeveritare që përbëjnë Koalicionin për Demokraci.