Lajme Shqip Thursday, 04 July 2013 11:32

Prishtinë – Shoqëria civile ka organizuar protest para Kuvendit të Kosovës, për të kundërshtuar ligjin për amnisti. Sipas tyre, ky ligj amniston kriminelët në veri dhe në jug.

Ron Gjinovci, organizator i protestës, ka thënë se qytetarët nuk janë duke e kuptuar mirë domethënien e këtij projektligji, sepse sipas tij po ta kuptonin mirë, do ta kundërshtonin atë në një masë më të madhe, raporton K.Press.

Ndërsa, Shpend Kursani, nga KIPRED, ka thënë se vjedhja e votës ka bërë që të shkohet në negociata, të arrihet kjo marrëveshje dhe ky projektligj që është kriminal për qytetarët e saj.

Sipas tij, qytetaret ndihen të pasigurt pas miratimit të projektligjit, pasi do të jenë gjithmonë nën kriminelet e amnistuar.

Ai u ka bërë thirrje deputetëve mos ta votojnë projektligjin, ndërsa nëse ata e votojnë do t’i bëjnë thirrje presidentes të mos e dekretojë këtë ligj.

Ata paralajmëruan se në orën 20:00, para ministrisë se Kulturës, do të organizojnë bashkëbisedim me qytetaret për t’iu treguar për dëmet që i ka ky ligj.