Lajme Shqip Wednesday, 17 October 2012 11:14

Prishtinë (PLOTESUAR 17 TETOR) – Lëvizja Vetëvendosje bëri të ditur se  Policia e Kosovës ka arrestuar 62 aktivistë të lëvizjes Vetëvendosje, që po protestonin  kundër privatizimit të Distribucionit të KEK-ut. Po sipas njoftimit të kësaj Lëvizjeje, në mesin e të arrestuarve janë edhe katër të lënduar.

Urdhri i ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi për të larguar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nga oborri qeveritar është kritikuar nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Por, ministri, Rexhepi nuk i ka rënë pishman duke thënë se policia është dashur jetë më rigoroz në këtë rast. Për këtë deklaratë të tij, ka reaguar edhe kryesuesi i seancës, Sabri Hamiti i cili ka kërkuar që të përdoret gjuha parlamentare nga ministri Rexhepi.

Edhe pse në seancën plenare e të mërkurës ishte në rend të ditës debati parlamentar, sipas kërkesës së deputetes Alma Lama lidhur me shpenzimin e fondeve publike nga ana e Qeverisë së Kosovës, ai ‘rrëshqiti’ në një temë tjetër, atë të largimit të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje nga oborri i qeverisë.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se sot kur është pritur të nënshkruhet kontrata për privatizimin e Distribucionit të KEK-ut, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë dashur të hyjnë në objekt qeveritar, pasi që, siç ka thënë ai, është e lejueshme. “Sot deputetët e Kuvendit të Kosovës janë ndaluar me urdhër të ministrit të rendit, i cili ishte deri tash këtu e tash nuk është dhe policia na ka nxjerrë dhunshëm nga objekti qeveritar dhe na ka mbyllur derën. Prandaj, jemi vonuar sot në këtë seancë, për shkak se policia tha: ‘kemi urdhër të mos ju lëmë të hyni’. Në kundërshtim me ligjin. Deputi ka të drejt me hy në objektet qeveritare kur të dojë dhe si të dojë duke treguar kartën e identifikimit”, ka thënë Ymeri.

Por më pas ka ardhur ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, i cili ka thënë se urdhri i policisë ka qenë dashur të jetë edhe më rigoroz në këtë rast. “Nuk e kam ndërmend për me fol për insinuata patologjike dhe boshe sot, por me qenë se u thirra. Po është e vërtet se unë kam dhënë urdhrin dhe urdhri është dashur të zbatohet edhe pak në mënyrë më rigoroze edhe dua të ju informojë se në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve ekzistuese nuk do të lejohet as deputetët e Vetëvendosjes as deputetët e Kuvendi, as kryesia e Kuvendit, as kryetari i kuvendit deri te presidenca me i blloku institucionet. Në këtë vend, në bazë të ligjeve ekzistuese dhe kushtetutës do të sundoj rendi, ligji dhe jo anarkia edhe kjo është derisa janë të vlefshme këto dokumente”, ka thënë ai.

Sërish ka replikuar, deputeti Ymeri, duke thënë se ministri në këtë rast s’po e thoshte të vërtetën. “Së pari një qartësim që prapë po gënjen ministri. Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje janë drejtuar për të hyrë në objektin qeveritar. Nuk janë nisur me bllokuar atë. Bllokimin e ka bërë policia. Edhe ndërhyrjen policia e ka bërë me urdhër të ministrit, në kundërshtim me ligjin, i cili na lejon neve hyrjen në objektet qeveritare në institucionet publike të Kosovës, sa herë kemi nevojë”, ka thënë Ymeri.

Për më tepër, ai ka shtuar se ministri nuk duhet me i dhënë urdhra policisë, pasi që, siç ka thënë ai, ekziston zinxhiri komandues. “Paska dhënë urdhër edhe me na rreh se po thotë më rigoroz është dashtë me qenë”, ka deklaruar Ymeri.

Për deklaratën e ministrit Rexhepi ka reaguar edhe kryesuesi i seancës, Sabri Hamiti, i cili ka thënë se ministri Rexhepi po përdor deklarata kërcënuese. “Kjo gjuhë nuk është gjuhë që na nevojitet hiq as ministrit as Vetëvendosjes. Replikat u harxhuan. Unë nga ky vend ju thërras ta përdorni gjuhën parlamentare. Kjo vlen në rend të parë, kjo vlen në radhë të parë për ministrin, gjuha e tij kërcënuese, ndoshta e ka gjuhë nuk dinë ndryshe këtu në foltore të kuvendit që u tha në replikën e parë jo në të dytën, se e dyta ishte jo parlamentare, e para ishte kërcënuese le ta marr mirë le ta lexoj dhe dëgjoj dhe do të shoh që ajo është gjuhë e hymjes në shtet policor. Unë mendoj se nuk jemi shtet policor dhe nuk do të varemi”, ka theksuar Hamiti.

Deputetët e Vetëvendosjes nuk lejohen të hyjnë në seancën e Kuvendit

Njësia Speciale ka larguar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nga hyrja zyrtare e Qeverisë. Sipas Vetëvendosjes, deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! me pas u nisën për të shkuar në Kuvendin e Republikës Kosovës ku do të mbahet seanca parlamentare, por policia nuk po i lejon të hyjnë as në Kuvend.

Ndërsa, Njësia speciale ka arritur t’i largojë edhe aktivistët tjerë të Vetëvendosjes deri para teatrit kombëtar, ku njësia special po në ballë të tyre në gjendje gatishmëri.

Protestojnë kundër privatizimit

Deputetë dhe aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosjes në krye me Albin Kurtin, kanë filluar të protestojnë kundër nënshkrimit të kontratës të kontratës për shitblerjen e Distribucionit dhe Furnizimit të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Siç transmeton Kosovapress, Aktivistët e Vetëvendosjes janë duke tentuar të hyjnë në objektin e qeverisë, ndërkohë kane ndërhyrë pjesëtarët e njësisë speciale të Policisë së Kosovës, të cilët kanë përdorur sprej dhe lotsjellës dhe kane arrestuar disa prej protestuesve.

Vetëvendosje ka njoftuar se autoritetet e rendit kanë arrestuar deputeten e kësaj lëvizjeje Albana Gashi.

Deri më tani, siç njofton Lëvizja Vetëvendosje, Policia e Kosovës ka arrestuar gjithsejtë 62 persona, aktivistë e deputetë të Vetëvendosjes, të cilët dolën për të protestuar kundër privatizimit të distribucionit të KEK-ut.(LajmeShqip.com)

Ata janë:

1. Abdyl Gashi,

2. Abdyl Osmani,

3. Agron Kabashi,

4. Alban Krasniqi,

5. Ali Krasniqi,

6. Alisa Hasani,

7. Alket Zeqiri,

8. Anita Shabani,

9. Arben Emini,

10. Arbënor Dehari,

11. Arianit Sadiku (I lënduar),

12. Avdi Musa

13. Beskim Gashi,

14. Besnik Bytyqi,

15. Boiken Abazi,

16. Brikenë Ramabaja,

17. Dardan Molliqaj,

18. Daut Rama,

19. Deni Rakoci,

20. Denis Ibërdemaj,

21. Drenushë Xhemajli,

22. Drilon Ramabaja,

23. Durim Jashari,

24. Egzon Balaj,

25. Egzon Kongjeli,

26. Etleva Malushaj,

27. Flamur Pireva,

28. Flamur Shahini,

29. Florent Ramqaj,

30. Frashër Krasniqi,

31. Genitan Topalli,

32. Gentian Sala,

33. Gerolld Nikoliqi (I lënduar),

34. Gëzon Kastrati (I lënduar shumë në kokë dhe fytyrë),

35. Hysen Durmishi,

36. Ilir Metushi,

37. Ismet Dibrani,

38. Labinot Beqaj (I lënduar),

39. Leonora Sylejmani,

40. Lirim Gashi,

41. Luan Hoti,

42. Marigonë Drevinja,

43. Masar Shala,

44. Mentor Kabashi,

45. Muhamet Bytyqi,

46. Naim Jakaj,

47. Nol Nushi,

48. Pajtim Demaj,

49. Petrit Bajraktari,

50. Pleurat Thaçi,

51. Premton Ibërdemaj,

52. Qazim Jashari,

53. Rrahman Bislimi,

54. Shkodran Hoti,

55. Shpend Hasani,

56. Skënder Llugiqi,

57. Skënder Merturi,

58. Valon Hoti,

59. Veton Dragusha,

60. Xhelal Sveçla,

61. Xhevat Sefaj,

62. Zgjim Hyseni.