Lajme Shqip Thursday, 20 September 2012 14:25

Prishtinë – Qindra punëtorë e të papunë protestuan sot në mesditë në Prishtinë, organizuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, në vazhdimësi të një peticioni të nënshkruar nga më shumë se 60 mijë qytetarë kundër privatizimit të ndërmarrjeve publike PTK, KEK dhe likuidimit të Trepçës.

“Trepça është e jona”, ishte një nga thirrjet e tyre, krahas mesazheve edhe në pankarta “Kuvend ndal privatizimin”, “Stop shkatërrimit të pasurisë së Kosovës”, e të tjera, në protestën e zhvilluar qetë nëpër mot me shi në sheshin kryesor “Nëna Terezë”.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës thotë se “ka marrë iniciativën dhe është bashkuar edhe me shumë organizata të tjera në Kosovë, duke patur parasysh gjendjen e rëndë ekonomike dhe sociale në vend, e cila, në masë të madhe vjen edhe si pasojë e procesit të privatizimit”.

“Mbi 70 mijë punëtorë që kanë kontribuar me dekada të tëra në ndërmarrjet prodhuese të Kosovës, si pasojë e këtij procesi të privatizimit sot enden rrugëve”, kanë deklaruar drejtues të Sindikatave.

Kryetari i Këshillit Organizativ të protestës, Alush Sejdiu, prezantoi kërkesat kryesore.

“Të formohet Komision parlamentar për vlerësimin e procesit të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, duke përfshirë të gjitha valët e privatizimit. Të ndërpritet çdo proces i privatizimit deri në vlerësimin e Komisionit parlamentar për këtë çështje. Të ndërpritet procesi i likuidimit të Trepçës”, theksoi ai.

Pas mbajtjes së fjalimeve nga drejtues të sindikatave të Elektro-kosovës dhe të PTK-së, kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi, ka bërë të ditur se është vendosur që të shtyhet nënshkrimi i marrëveshjes për shitjen e Distribucionit dhe të Furnizimit.

“Kam një informatë që na vjen nga Parlamenti që nënshkrimi i marrëveshjes është shtyrë për një kohë të pacaktuar. Pikërisht na gëzon fakti se më në fund është ngritë vetëdija që të na kuptojnë”, tha Arifi.

Por, Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka përgënjeshtruar deklaratën e kryetarit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës se është shtyrë nënshkrimi i kontratës me kompaninë Calik&Limak fituese në tenderin e privatizimit të KEDS-it.

“Është kjo edhe dezinformatë e radhës të cilën kohëve të fundit e plason kryetari i BSPK-së. Dëshirojmë të përkujtojmë zotin Arifi se ishte prezent në prezantimin e kompanisë Calik&Limak dhe aty është informuar se afati ligjor për nënshkrimin e kontratës është 90 ditë nga dita e përzgjedhjes së kompanisë fituese, dmth 19 tetori 2012. Siç ka deklaruar shumë herë ditëve të fundit ministri Beqaj, kontrata me kompaninë fituese do të nënshkruhet në afatin ligjor dhe për datën e nënshkrimit të saj do të informohet opinioni. Nënshkrimi i kontratës do të jetë publik dhe mediat do të mund të përcjellin këtë akt”, thuhet ne reagimin e MZHE’se.(LajmeShqip.com)