Lajme Shqip Wednesday, 23 March 2011 09:47

Prishtinë – Koalicioni për Demokraci dhe Parlamenti i Studentëve, do t’iu bashkohen sot protestave të Organizatës së Veteranëve të Luftës, kundër arrestimeve të ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Ata shprehën indinjatën e tyre të thellë ndaj këtyre arrestimeve.  Ndërkohë degët e OVL të UÇK-së kanë bërë përgaditjet e duhura për protestën e sotme e cila do të mbahet në 26 komuna  të Kosovës.

Udhëheqësit e Organizatave të Veteranëve të Luftës, thanë se në protestën gjithëpopullore, e cila do të mbahet në 26 komuna të Kosovës, do të kundërshtohet demonizimi i luftës çlirimtare nga misioni i EULEX-it, kurse ndaj Euleksit do të paraqiten edhe disa kërkesa rreth rolit të këtij misioni.

Nënkryetari i OVL-së, Smajl Elezi, tha se protesta gjithë popullore në mbështetje të vlerave të luftës çlirimtare, do të fillojë në ora 12 në të gjitha qytetet e Kosovës.

Protestës do t’i bashkohen edhe studentët e Universitetit të Prishtinës dhe rreth 200 OJQ që përbëjnë Koalicionin për Demokraci. Kryetari i Parlamentit të Studentëve, Selim Daku, iu bëri thirrje të gjithë studentëve, që në ora 12 të mblidhen para Fakultetit të Filologjisë, për të vazhduar protestën drejt sheshit “Nëna Terezë”.

Ndërkaq, udhëheqës të Koalicionit për Demokraci dhe të Parlamentit të Studentëve, kërkuan nga prokuroria e EULEX-it, që të pezullojnë të gjitha akuzat e ngritura ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Organizata e Veteranëve të Luftës, përmes kësaj protesta do të kërkojë që EULEX-i të mos ketë më rol ekzekutiv në Kosovë, por vetëm këshilldhënës.