Lajme Shqip Monday, 01 October 2012 11:39

Prishtinë (Plotësuar 15:45)- Disa studentë të lënduar dhe disa të tjerë të ndaluar në polici, është bilanci i protestës së sotme të përfaqësuesve të Parlamentit studentor të UP-së, të cilët me dhunë u futën në oborrin e rektoratit, raporton KTV.

Qëllimi i tyre ishte që të kundërshtojnë, siç kanë thënë ata, emërimet politike që janë bërë në këtë institucion. Por policia ndërhyri menjëherë dhe i nxori të gjithë nga oborri i këtij institucioni. Gjatë ndërhyrjes policia ka përdorur sprej. Përfaqësuesit e studentëve thonë se kur njerëz të politikës janë në fund të karrierës së tyre, rehabilitohen në Universitetin e Prishtinës. Studentët kundërshtojnë fuqishëm emërimin e Nuri Bexhetit për prorektor në UP.

Musa Preteni, nga Parlamenti i Studentëve, ka thënë se i sapoemëruari si prorektor për Arsim, Nuri Bexheti, është i njohur për keqpërdorime dhe mashtrime. Sipas Pretenit, Nuri Bexheti është shkelës i ligjit, duke qenë ligjërues i rregullt në tri fakultete, në atë Filozofik, Juridik, në Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe në disa fakultete private. Nga ana tjetër, rektori i ri, Ibrahim Gashi, i cili sapo ka marrë edhe zyrtarisht detyrën nga pararendësi i tij, Mujë Rugova, ka thënë se emërimet janë bërë konform statutit të UP-së. Ai ka shprehur keqardhje që ka nisur punën në këtë situatë të krijuar, e cila sipas Gashit, nuk ka qenë aspak e nevojshme. (LajmeShqip.com)

*************************************

Prishtinë – Studentë të Universitetit të Prishtinës, si dhe drejtues të Parlamentit Studentor, në orët e paradites, kanë nisur një protestë para Fakultetit Filologjik, duke penguar hyrjen e të ftuarve në ceremoninë e fillimit të vitit të ri akademik në Universitetin “Hasan Prishtina”.

Protesta, sipas tyre, është organizuar për të kundërshtuar emërimet politike që janë bërë në Rektorat. Me këtë rast, Policia e Kosovës ka ndërhyrë për të shpërndarë protestuesit, të cilët kanë hyrë në oborrin e rektoratit të Universitetit “Hasan Prishtina”.

Siç bën të ditur gazetari i “Zërit”, janë arrestuar rreth 10 studentë, ndërkaq protestuesit raportohet se janë larguar nga oborri i rektoratit.Megjithatë, protesta ende po vazhdon dhe shihen forca të shumta të policisë. (LajmeShqip.com)