Lajme Shqip Tuesday, 29 March 2011 12:27

Prishtinë – Shoqatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me mbështetje edhe të studentëve dhe organizatave të tjera joqeveritare, në Prishtinë, organizuan protestë gjithëpopullore kundër arrestimeve të fundit të ish- ushtarëve të UÇK-së nga policia e EULEX-it.

Protesta filloi në orën 12:00, para Fakultetit të Filologjisë, për të vazhduar pastaj marshimi nëpër sheshin “Nënë Tereza“, ndërsa fjalimet u mbajtën para Teatrit Kombëtar.

Organizuesit e protestës kanë thënë se veprimet e EULEX-it po i kontribuojnë destabilitetit në Kosovë dhe rajon.

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, ka thënë se protesta nuk është kundër faktorit ndërkombëtar, por kundër veprimeve të padrejta të EULEX-it. Duke kujtuar faktin se akuzat e ngritura nga EULEX-i nuk janë asgjë tjetër vetëm se ripërsëritje të akuzave të ngritura nga Serbia, Jashari i ka bërë thirrje misionit të BE-së që t’i ndërpresë këto veprime dhe arrestime, sepse Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë një luftë të pastër.

Protestuesit kërkuan edhe nga institucionet e vendit që të jenë më këmbëngulëse në këtë drejtim dhe të ndalojnë EULEX-in që të mos bëjë padrejtësi, siç është duke bërë në vazhdimësi, sidomos ndaj vlerave kulmore të popullit shqiptar. Sipas Jasharit, me këto veprime që po i bën, EULEX-i po krijon destabiliteti jo vetëm këtu, por edhe në rajon.

Kryetari i Parlamentit Studentor të UP-së, Selim Daku, ka thënë se studentët do t’i bashkohen kësaj proteste, për shkak se po dëmtohen vlerat e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ditë më parë, degët e Organizatave të Veteranëve, Familjeve të Dëshmorëve dhe Invalidëve të Luftës së UÇK-së, të mbështetur edhe nga organizata tjera, organizuan protesta gjithëpopullore në 26 komuna të Kosovës, kundër arrestimeve të fundit të disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së nga Policia e EULEX-it.