Lajme Shqip Tuesday, 08 January 2013 16:25

TIRANË – Forca të shumta policie kanë mbërritur mëngjesin e sotëm në ish-godinën e çerdhes nr.36 tek ish-Fusha e Zezë, për të nxjerrë që aty familjet e strehuara. Banorët kanë paralajmëruar se nuk do dalin nga godina, që ajo t’ju kthehet ish-pronarëve, pasi ata pretendojnë se kjo pronë është shtetërore.

Situata pranë ish-Fushës së Zezë paraqitet e tensionuar prej disa orësh. Banorët fillimisht janë konfrontuar fizikisht me forcat e policisë, ndërkohë që një grua tentoi të vetëflijohet në taracën e shtëpisë së saj.

Ajo mori një bombol gazi 15 litërshe dhe teksa mbante një shkrepse në dorë, paralajmëroi se do t’i vërë flakën bombolës nëse polica hyn në shtëpinë e saj. Kjo situatë zgjati për rreth 15 minuta, pastaj gruaja ka zbritur nga taraca e banesës, për tu rikthyer aty sa herë gjendja përkeqësohej. Duke parë këtë situatë policia nuk ka ndërhyrë ende.

Banorët kanë shprehur irritimin e tyre edhe ndaj pronarit të tokës, madje një djalë i ri është konfrontuar fizikisht me të. Të gjithë pjesëtarët e familjes Qinami ndodhen në vendngjarje dhe sigurojnë se janë pronarë të ligjshëm të tokës, prandaj apelojnë që policia të mbështesë përmbaruesin për lirimin e pronës.

Sot ka përfundur edhe afati kur këta banorë duhet të lironin banesat, prandaj përmbaruesit janë paraqitur aty për të ekzekutuar vendimin. Nga ana tjetër banorët kundërshtojnë ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Tiranës. “Ka një vendim në hipotekë që prona u është blerë pronarëve. Kthimi i pronës është i paligjshëm”, rrëfen një banor.

Sipas tij 12 familjet janë ende në proces gjyqësor, prandaj nuk pranojnë të dalin nga shtëpitë e tyre. Disa prej tyre rrëfejnë se janë të papunë, e nuk kanë ku të shkojnë.

Familjarët prej 20 vitesh banojnë në godinën 1 katëshe tek kryqëzimi i 21 Dhjetorit, teksa ligji kërkon tu kthejë banesën ish-pronarëve. Protestuesit pretendojnë se kjo banesë ish-shtetërore i përket tyre dhe duhet që ta privatizojnë ato, ndërkohë që theksojnë se ndërtesa është ndërtuar në vitin 1995, dhe ish-pronarët e tokës janë dëmshpërblyer. 

Policia futet me forcë në 2 banesa, nis bastisjen
Ora 15:30
Policia ka mundur të hyjë me forca në 2 banesa. Është shpërthyer dera pasi banorët kanë qenë brenda. Personat qe kanë bërë shpërthimin kanë qenë oficer të policisë private Policia po paketon plaçkat e familjeve me dhunë dhe kanë mbetur dhe 10 familje të tjera për tu larguar.

Pronarja: Dokumentet që posedojnë banorët janë për një zonë tjetër
Ora 12:09-
Pronarja e tokës, Nadire Qinami rrëfen për News 24 se disponon të gjitha dokumentat që vërtetojnë pronësinë e tokës. Ajo shprehet e irrituar dhe thotë se “dokumentat që posedojnë këta banorë janë për një tjetër zonë”.

Zonja sqaron se, këtyre banorëve iu ka ofruar edhe shpërblim vetëm që ata të lirojnë tokën e saj. “Për cdo gjë që flas mbaj përgjegjësi ligjore. I bëj thirrje policisë të mbështesë përmbaruesin që unë të bëj lirimin e pronës”, shton ajo.

Përmbaruesi: Çështja është e zgjidhur ligjërisht
Ora 11:45 –
Përfaqësuesi i zyrës së përmbarimit deklaroi se do të ekzekutojë vendimin, pasi sipas tij çështja është e zgjidhur ligjërisht.
“Vendimi është marrë dhe nuk ka asnjë dyshim. Unë kam certifikatën e pronësisë në emër të Nadire Qinamit. Çështja është e zgjidhur ligjërisht. Këta banorë kanë disa shtëpi, që nga ajo zonja që bërtet kanë shtëpi. Mund të shkojmë edhe në konfrontime fizike, do të shkojmë deri në fund.”- deklaroi përmbaruesi.

Pronari: Të gjitha gjyqet i kam të fituara
Ora 11:15-
Nga ana tjetër, njëri prej pronarëve, Skerdilajd Qinami, pretendon se nuk ka asnjë çështje gjyqësore të mbetur pezull, përveç gjyqit të fituar prej tij për lirimin e pronës.

“Në gjyq i kam hedhur unë për lirim prone. Prona ime i ka dokumentet ligjore. Të gjitha gjyqet i kam të fituara. Nuk di të ketë akt pezullimi. Unë vetëm ligjin kam. Unë nuk pretendoj,1089 metra tokë është e imja. Nuk është tokë e shpronësuar që në vitin 1939, e vërtetojnë dokumentet ligjore.”- u shpreh Qinami.

Banorët thirrje presidentit: Mos na lini në qiell të hapur!
Ora 11:10-
Pasi situata u qetësua disi banorët i bënë thirrje krerëve më të lartë të shtetit të reagojnë dhe të gjejnë një zgjidhje për ta. “Ne duam që të gjendet një zgjidhje paqësore, kërkojmë thjeshtë një strehë për të futur kokën, asgjë më shumë”, thotë një banore.

“Mos na lini në qiell të hapur. Na fusni kokën në një shtëpi. Ne nuk kemi bukë, nuk kemi ku të fusim kokë, mos lejoni të bëjmë vetëgjyqësi”, rrëfen ajo.

Avokatja e banorëve: Përmbaruesit po shkelin vendimin e gjykatës
Ora 10:50- Avokatja e banorëve, Rajmonda Lamnica deklaron për NEWS24 se ekziston një vendim i Gjykatës së Lartë që pezullon çdo procedurë në këto banesa. Sipas avokates, përmbaruesit veprojnë në kundërshtim me ligjin, duke shkelur vendimin e gjykatës.

“Ka një urdhër të gjykatës, që pezullimi i gjykimit në Gjykatën e Lartë pezullon edhe çdo praktikë tjetër nga ana e përmbarimit. Këtu ka ardhur një përmbarues që po vepron në mënyrë kontrabandë. Eshtë një vendim i Gjykatës së Lartë, i datës 24/12/ 2011, që pezullon të gjithë procedurën. Pa u gjykuar në themel çështja nuk mund të veprohet.”- shprehet avokatja.(B.W/LajmeShqip.com)