Lajme Shqip Friday, 23 March 2012 20:17

Prokuroria serbe lëshon fletë-arrest ndërkombëtar për ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Limaj.

Zëvendësi i prokurorit serb për krime lufte, Bruno Vekariç, ka thënë se ish komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Limaj, do të arrestohet sapo të dalë nga territori i Kosovës, sepse Serbia ka lëshuar një fletëarrest ndërkombëtar kundër tij për krime lufte.
“Kjo do të thotë që çdo polic ka detyrim ta arrestojë Limajn, sapo të dalë nga territori i Kosovës”, ka thënë Vekariç për të përditshmen serbe “Blic”.

Ai ka thënë se prokuroria serbe ka kryer hetime dhe ka intervistuar një numër dëshmitarësh në rastin “Kleçka”, për të cilin Limaj dhe nëntë ish pjesëtarë të UÇK-së ishin akuzuar, dhe se ka elemente të mjaftueshme për lëshimin e fletarresteve.

Gjykata e Qarkut në Prishtinë ka urdhëruar para dy ditësh lirimin nga paraburgimi të të gjithë të akuzuarve në rastin “Kleçka”, duke hedhur poshtë dëshminë dhe ditarët e Agim Zogajt, i cili njihej si Dëshmitari X, mbi të cilin ishte ngritur aktpadia.

Reagimi i Kosovës…

Por zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Hajredin Kuçi ka thënë se këto veprime të Qeverisë së Serbisë janë skandaloze, duke shtuar se kjo do të ndikojë negativisht në raportet Kosovë-Serbi, shkruan sot Kosovapress.

“Besoj që veprimet e tilla të Qeverisë së Serbisë janë skandaloze, jo vetëm në këtë rast, por edhe në raste tjera me personalitete dhe udhëheqës të shquar të luftës për çlirim dhe pavarësi ka bërë njëjtë. Por unë jam i bindur që Interpoli dhe menkanizmat e tjerë ndërkombëtar nuk do të jenë pre e këtyre motiveve politike të Serbisë përballë personaliteteve tona në veçanti ndaj rastit konkret të zotëri Limaj”, ka thënë zëvendëskryeministri Kuçi duke shtuar se është e qartë që Serbia po e shfrytëzon këtë për motive politike.