Lajme Shqip Thursday, 11 October 2012 18:49

Prishtinë -“Me qëllim të zbardhjes se rastit prokuroria ka shikuar vendin e ngjarjes së bashku me Policinë e Kosovës, ka marrë të gjitha provat e mundshme nga vendi i ngjarjes dhe ka kërkuar të gjitha ekzaminimet e nevojshme”, thuhet në një njoftim të Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë, me ekzaminimin e ADN-së është vërtetuar se të gjitha gjurmët e gjakut të gjetura në vendin e ngjarjes janë të të ndjerit. “Me ekzaminimin e thikës është konstatuar se ajo është pronë e tani të ndjerit dhe në të janë gjetur vetëm gjurmët e dorës së tij. Me ekzaminimin e ADN-së së të gjitha mostrave të marra nga trupi i tani të ndjerit, përfshirë edhe ato nga thonjtë, është vërtetuar se ato nuk përmbajnë profile të ADN-së të ndonjë personi tjetër. Me ekzaminimin grafologjik të letrës së gjetur në tavolinë është vërtetuar se ajo është e shkruar nga tani i ndjeri”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, sipas Prokurorisë, me shikimin e incizimeve të kamerave të sigurisë nuk është vërtetuar se para kohës kritike ka hyrë ndonjë person i panjohur në lokalin ku ka ndodhur ngjarja dhe me ekzaminimin e telefonit të tani të ndjerit nuk është vërtetuar se ai ka pasur ndonjë kërcënim apo shantazh nga ndonjë person tjetër.

“Me obdukcionin e kufomës nuk është vërtetuar se ai ka ndonjë plagë tjetër përveç plagëve me thikë. Është vërtetuar më tutje, se në trupin e tani të ndjerit janë gjetur 11 plagë të shkaktuara me thikë. Shtatë plagë, në regjionin e qafës, janë plagë prerëse hezituese. Hezituese janë edhe dy gërvishtje në regjionin e qafës dhe këto plagë hezituese janë karakteristike për vetëvrasje. Në regjionin e gjoksit janë gjetur dy plagë shpuese-prerëse dhe njëra nga ato ishte vdekjeprurëse”, saktëson më tej Prokuroria.

Bazuar në këto prova, Prokuroria konkludon se tani i ndjeri Dino Asanaj është vetëvrarë.

Por, Prokuroria nuk ka përjashtuar mundësinë që i ndjeri të jetë shtyrë në vetëvrasje dhe për këtë ka kërkuar nga Policia e Kosovës të mbledhë të dhënat ose provat eventuale që do të vërtetonin dyshim eventual se tani i ndjeri është shtyrë të vetëvritet. (LajmeShqip.com)