Lajme Shqip Monday, 14 November 2011 15:45

Tiranë – Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet ndaj një grupi punonjësish në doganën e Durrësit për kontrabandë me karburantet.

Lajmi u bë i ditur sot nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila konfirmoi se mbi bazën e materialeve të policisë së Durrësit, Prokuroria e Rrethit ka nisur dhe po zhvillon hetime ndaj 10 personave, pjesa me e madhe punonjës pranë zyrës doganore të Porto Romanos në Durrës, konkretisht, Laurent Bega, magazinier, Klodian Çullai, punonjës i agjencisë doganore Ferries, Afrim Meçe, shofer, Pëllumb Malollari, shofer, Kadri Rrapaj, doganier, Dashamir Kabaj, doganier, Artur Mustafaj, doganier, Selman Doçi, doganier, Lavdi Rraklli, doganier, Ylli Troplini, doganier.

Sipas prokurorisë, ky hetim, i cili zhvillohet prej rreth 7 muajsh, është mbështetur në bazë të raporteve të vëzhgimit dhe bisedave telefonike nën përgjim, dhe përfshin aktivitetin e zyrës doganore të Porto Romanos në Durrës.

Shtetasit e sipërpërmendur, me detyrë doganierë, magazinierë, kontrollorë, punonjës i agjencisë doganore Ferries sh.p.k, shoferë të transportit, etj, kanë konsumuar veprat penale të “kontrabandës me mallra që paguhet akcizë”, e kryer në bashkëpunim, dhe “kontrabandë nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”, duke favorizuar subjektin Europetrol Durrës Albania sh.a. në mosdoganimin e një sasie të konsiderueshme karburanti dhe kalimin e saj kontrabandë në treg.

Ata akuzohen se kanë bërë të mundur kalimin e autoboteve të ngarkuara me sasi karburanti të cilat e kishin tejkaluar sasinë e deklaruar nga subjekti, pa kryer asnjë procedurë zhdoganimi apo njoftim në autoritetet doganore, të cilat janë lejuar të drejtohen në treg.

Bëhet e ditur gjithashtu se Prokuroria e Durrësit vijon hetimin edhe për mundësinë e përfshirjes së personave të tjerë në këtë veprimtari të paligjshme.