Lajme Shqip Wednesday, 20 July 2011 12:05

Tiranë – Kryetari i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP), Adriatik Llalla, deklaroi të mërkurën se zyrtarët japin të dhëna informale në deklarimin e pasurive të tyre.

Kreu i ILDKP-së raportoi sot në mbledhjen e radhës së komisionit parlamentar të Ligjeve për veprimtarinë e këtij institucioni gjatë vitit 2010. Në raportin e paraqitur ai pohoi evidentimin e rasteve të korrupsionit, ndërsa nuk kanë munguar dhe rastet e denoncimeve dhe kallëzimeve.

Sipas tij, gjatë vitit 2010 janë administruar 5302 deklarata pasurie dhe për një sërë problemesh të konstatuara janë kallëzuar shumë subjekte. Por, sipas tij, në shumë raste ka qenë Prokuroria ajo që ka pushuar çështjet dhe këto i ka bërë pa argumente të forta ose bindëse.

Duke u ndalur në vështirësinë e punës për hetimin e pasurive të deklaruara, Llalla veçoi si shqetësuese dhuratat e deklaruara nga zyrtarët, për të cilat, pohoi ai, është e vështirë të hetohen.

“ILDKP bën të gjithë veprimet e mundshme verifikuese, por në rastin e dhuratave, ku në emër të tyre mund të fshihet pasuria, kjo pengon kryerjen e veprimeve të plota hetimore”, deklaroi kryeinspektori. Ai vuri në dukje gjithashtu dhe mungesën e masave disiplinore nga institucionet publike.