Tiranë – Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është takua me kongresmenët Alcee Hasting, Eliot Engel dhe Jean Schmid.
Sipas zyrës së shtypit në Bashkinë e Tiranës, Basha i ka njohur kongresmenët me projektet kryesore të zhvillimit të Tiranës si zhvillimi ekonomik, cilësia e jetës dhe punësimi.
Basha ka thënë se një nga angazhimet e tij është ta bëjë Tiranën një qytet miqësor për biznesin dhe atraktiv për investime. Ai ka prezantuar edhe projektet e tij strategjike për Tiranën si zgjerimi i bulevardit, rehabilitimi i Lumit të Tiranës, ndërtimi i linjave të tramit si dhe ndërtimi i terminalit të pasagjerëve.
Kryebashkiaku ka bërë me dije se ekspertë të njohur të urbanistikës po punojnë për Planin e ri Urbanistik. Punësimi mbetet prioritet absolut sipas Bashës.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka kërkuar mbështetjen nga anëtaret e Kongresit dhe veçanërisht të Engel dhe Schidt si bashkëdrejtues të Grupit të Miqësisë Shqipëri-SHBA.
Pranë institucioneve financiare amerikane për të mundësuar mbështetjen me kredi të buta për financimin e tramit, po edhe për programe të tjera si skema punësimi, stazhe për të rinjtë, mbështetje për nënat kryefamiljare etj.
Kongresmenët kanë vlerësuar vizionin e Bashës për zhvillimin e Tiranës, adresimin e drejtë të prioriteteve, e veçanërisht përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje, siç ishte dhe në diskutime për buxhetin.
Engel dhe Schmid u shprehën të gatshëm për të përdorur influencën e tyre për të siguruar kredi të buta për të mbështetur projektet e Bashkisë së Tiranës.