Lajme Shqip Friday, 04 November 2011 08:30

Impakti i propozimeve të reja që PS ka hedhur në publik si pjesë e një programi të ri të kësaj partie për qeverisjen ka qenë i madh.

Propozimi për heqjen e taksës së sheshtë dhe për uljen e ndryshimin e disa taksave të tjera kanë krijuar tashmë debat në arenën politike dhe jo vetëm.

Por akoma dihet pak për përmbajtjen e këtij programi, i cili të shtunën do të kalojë për miratim në kongresin e radhës të PS-së.

Edi Rama ka vendosur që para se ta ndajë me delegatët e kongresit këtë program të ri ta publikojë në faqen e tij online www.edirama.al dhe në faqen e PS-së, www.ps.al.

Para disa minutash selia rozë futi online draft-programin e plotë prej 90 faqesh, për të cilin flitet aq shumë duke i treguar publikut thelbin e programit që është hartuar muajt e fundit nga disa grupe pune në PS.

Publikimi i pikave kryesore të këtij programi pritet të rrisë interesin e qytetarëve, ndërkohë që siç bëjnë të ditur burime nga selia rozë, PS nuk do ta lërë me kaq reklamimin e programit të saj të ri.

Sipas selisë rozë, Rama ka kërkuar që draft-programi, që është në vetvete një variant i shkurtuar e i përmbledhur i programit qindra-faqësh, do të shpërndahet nga socialistët derë më derë të çdo shqiptari.

PS kërkon që deri në vitin 2013 kur janë zgjedhjet të bindë njerëzit dhe ndërkohë të bëjë një sondazh se si do të pritet ky program tek populli, në mënyrë që të bëjë ndryshimet e nevojshme më vonë.