Lajme Shqip Wednesday, 07 December 2011 14:15

Prishtinë-Tregtarët dhe qytetarët kosovarë duket se nuk mund të bëjnë pa produktet e Serbisë. Siç raporton e përditshmja “Express”, prodhimet e këtij shteti, edhe përkundër fushatave të ndryshme për moskonsumin e tyre, vazhdojnë të dominojnë në tregun kosovar. Të paktën kështu tregojnë të dhënat e Entit të Statistikave të Kosovës, të publikuara për muajin tetor. Sipas këtyre të dhënave, Serbia është njëra nga shtetet që prin me produktet e saj në importin e Kosovës.  

Vetëm gjatë muajit tetor, nga ky shtet janë importuar mallra në vlerë prej 26 milionë eurosh, ndërsa janë eksportuar vetëm 1 milion euro mallra. Në kohën kur Qeveria e Kosovës, vuri masat e reciprocitetit drejt Serbisë, tregtarët kosovarë premtuan se mallrat serbe më nuk do të kenë vend në kompanitë e tyre.

Por gjithçka ndryshoi, në momentin kur Qeveria i hoqi këto masa me këtë shtet. Prodhimet e këtij shteti përsëri e vërshuan tregun kosovar. E tash më së miri për këtë flasin edhe të dhënat e ESK’së. “Në muajin tetor të këtij viti, përqindja më e madhe e importit është nga Maqedonia 11.5 për qind, nga Gjermania 11.1 për qind, nga Serbia 10.6 për qind, nga Italia 9.1 për qind dhe Turqia 7.2 për qind”, thuhet në këto të dhëna.

Ndërkaq, gjatë këtij muaji, eksporti më i madh është bërë drejt Gjermanisë, 26.4 për qind, Italisë 21.5 për qind, Shqipërisë 10.5 për qind, Kinës 8.4 për qind dhe Maqedonisë 7.2 për qind.Krahas kësaj, janë edhe disa të dhëna të tjera, mjaft shqetësuese për ekonominë kosovare. Deficiti tregtar nga muaji në muaj po shënon rritje.

 Të dhënat e tregtisë së jashtme tregojnë për një deficit tregtar për muajin tetor prej 218,5 milionë euro krahasuar me deficitin prej 167,4 milionë euro me tetorin e vitit të kaluar. “Eksporti në muajin tetor kishte vlerën 27,2 milionë euro, ndërsa importi 245,8 milionë euro, pra është një rënie e eksportit prej -4 për qind si dhe një rritje prej 26 për qind për import krahasuar me tetorin vitit të kaluar”, thuhet më tej në publikimin e ESK’së.

Sipas të dhënave të grupeve kryesor të eksportit, 49.8 për qind të eksportit e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 25 për qind makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike dhe 5.3 për qind produktet minerale. Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore për import, 24.1 për qind të importit e përbëjnë produktet minerale, 11 për qind makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 9.7 për qind ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 9.5 për qind metale bazë dhe artikuj prej tyre, 7.9 për qind produkte të industrisë kimike.

Shqetësimin për praninë e prodhimeve serbe në një masë kaq të madhe në tregun kosovar, e ka shprehur edhe vetë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu. “Pas masave të reciprocitetit është shtuar një dozë e asaj që quhet optimizëm se një dukuri e tillë nuk do të jetë e pranishme, por tash me të vërtetë prania produkteve serbe është në rritje e sipër”, thotë Gërxhaliu. Sipas tij, është koha kur duhet të analizohet konsumatori kosovar, se çka është duke ndodhur me të dhe pse është orientuar kaq shumë te prodhimet serbe.