Lajme Shqip Monday, 12 November 2012 13:39

Tiranë (PLOTESUAR, 12 nëntor, 18:30)– Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, të hënën në Tiranë është takuar me presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani.

Presidenti Nishani vlerësoi lartë hapat e shtetit të Kosovës në zhvillimin e demokracisë dhe konsolidimin e institucioneve të shtetit të së drejtës, të cilat, siç u shpreh Nishani, u njohën edhe nga komuniteti ndërkombëtar nëpërmjet heqjes së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.

Presidenti Nishani rikonfirmoi angazhimin e tij institucional dhe personal në mbështetje të procesit të njohjes, të përfshirjes së Kosovës në nismat rajonale dhe më gjerë si dhe të integrimit të saj euroatlantik.

Në planin e bashkëpunimit dypalësh, kreu i shtetit shqiptar u shpreh se institucionet e të dyja vendeve duhet të shohin mundësitë e zgjerimit të bazës ligjore, rritjes së shkëmbimeve ekonomike dhe të koordinimit të nismave me karakter rajonal e më gjerë.

Nga ana e tij, Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, pasi e falënderoi presidentin Nishani për angazhimin e tij në mbështetje të shtetit të Kosovës, vuri në dukje se heqja e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës ka zgjeruar pavarësinë dhe sovranitetin mbi vendin dhe ka rritur përgjegjësinë e institucioneve të Kosovës.

“Publikimi i Studimit të Fizibilitetit për Kosovën nga Komisioni Evropian, që do të bëjë të mundur nënshkrimin e MSA-së, rrit bashkëpunimin e Kosovës me Brukselin, bashkëpunim që i shërben jo vetëm integrimit evropian por edhe njohjes së Kosovës nga vendet e tjera të Bashkimit Evropian dhe më gjerë, të cilat ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë”, ka thënë ministri Hoxhaj.

Nishani dhe Hoxhaj ndanë mendimin se Kosova është një realitet që i kontribuon stabilitetit dhe bashkëjetesës në rajon dhe se politika e fqinjësisë së mirë dhe e dialogut janë parimet bazë të politikës rajonale të Shqipërisë dhe Kosovës.

**********************************************************

TIRANË (PLOTESUAR 12 NENTOR, 17:30)- Në takimin me Ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama përshëndeti progresin e arritur nga shteti i Kosovës në drejtim të konsolidimit të mëtejshëm të institucioneve demokratike, shtetit ligjor, si dhe avancimin lidhur me njohjet e reja ndërkombëtare. Kryetari Rama shprehu vullnetin e palëkundur të Partisë Socialiste për të intensifikuar marrëdhëniet midis të dy vendeve në të gjitha fushat. 

Ministri i Punëve të Jashtme Hoxhaj falenderoi Partinë Socialiste për angazhimin e saj në drejtim të njohjeve të mëtejshme të Kosovës dhe anëtarësimit të saj në organizata të ndryshme rajonale dhe ndërkombëtare. Gjithashtu, Ministri i Punëve të Jashtme Hoxhaj përshëndeti progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian duke vënë dukje rolin thelbësor që ka luajtur Partia Socialiste në këtë proces. 

Kryetari i PS Rama e siguroi Ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës që Partia Socialiste do të vazhdojë përpjekjet intensive në kanalet e saj diplomatike për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës. Partia Socialiste përshëndet dhe mbështet progresin e arritur nga populli dhe qeveria e Kosovës në drejtim të përmbushjes së standardeve për avancimin e axhendës së saj euro-atlantike. (LajmeShqip.com)

*********************************************

Tiranë -(PLOTESUAR 12 NENTOR, 16:30)- Në ditën e parë të vizitës zyrtare në Shqipëri, ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, është takuar me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha.

Kryeministri Berisha ka shprehur gëzimin e tij për progresin që po arrihet në Kosovë në të gjitha fushat.

“Ju përgëzoj zoti ministër, jam gëzuar shumë për njohjen e fundit që erdhi nga Timori Lindor. Ky shtet, njëjtë si Kosova, ka sakrifikuar shumë për pavarësi”, tha Berisha, duke shprehur mbështetjen e plotë dhe të fuqishme të Shqipërisë për rritjen e numrit të njohjeve për Kosovën.

Kryeministri i Shqipërisë po ashtu shprehu mbështetje për angazhimin dhe punën e fuqishme të institucioneve të Kosovës në rrugën evropiane.

Berisha ka shprehur përkrahjen e Shqipërisë edhe për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, duke thënë se shtetet fqinje duhet t’i zgjidhin çështjet e hapura, bilateralisht, thuhet në njoftimin e lëshuar nga MPJ.

Ai po ashtu vlerësoi marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufijve, duke theksuar se kjo marrëveshje duhet të implemetohet sa më shpejt.

Në anën tjetër, ministri Hoxhaj, ka informuar kryeministrin Berisha për progresin e vazhdueshëm në Kosovë, për njohjet e fundit si dhe për perspektiven integruese evropiane të Kosovës.

“Kam falënderuar kryeministrin Berisha për mbështetjen në procesin e njohjeve, në anëtarësimin e Kosovës në organizatat rajone, evropiane dhe ndërkombëtare si dhe kemi biseduar për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar ndërmjet dy shteteve”, ka thënë Hoxhaj. (LajmeShqip.com)

*****************************************************

Tiranë – Kjo vizitë, tha zoti Panariti, merr një kuptim të veçantë, pasi ndodh në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë.

“Ne konstatuam me kënaqësi trendin gjithnjë e në rritje të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve tona dhe që shprehet me një pesëfishim të volumit ekonomik tregtar mes dy vendeve, brenda një periudhe pesëvjeçare. Ne ndamë mendimin, se duke shfrytëzuar sa më shumë dhe me efektivitet infrastrukturën moderne tashmë të zhvilluar në të dy anët e kufirit, mundësi akoma më të mëdha ekzistojnë për të zgjeruar vëllimin e shkëmbimeve tregtare”, tha Panariti.

Ministri Hoxhaj ka kërkuar ndihmën e Shqipërisë në dhënien e ekspertizës, për sa i përket proceseve integruese të Kosovës, veçanërisht në procesin e liberalizimit të vizave që ka nisur Kosova me Bashkimin Evropian.

“Pavarësia e Kosovës i ka dhënë kuptim edhe pavarësisë së Shqipërisë dhe 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Pavarësia e Kosovës nuk do të ndodhte pa një mbështetje të fuqishme të shtetit shqiptar. Biseduam për atë se si Republika e Kosovës ta ketë mbështetjen e Shqipërisë në fushën e integrimeve evropiane, një fushë në të cilën Shqipëria ka përvojë.Unë dua ta falenderoj mikun tim Panariti për mbështetjen e tij të fuqishme në rritjen e numrit të njohjeve të Kosovës. Sot biseduam se si mund ta kemi mbështetjen e shtetit shqiptar, sa i takon anëtraësimit të Kosovës në organizata të ndryshme evropiane dhe globale”, tha Hoxhaj.

Zoti Hoxhaj tha se bisedimet me Serbinë janë duke u zhvilluar në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe një Rezolute të miratuar nga Parlamenti. Ministri Enver Hoxhaj shprehu shqetësimin në lidhje me gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Ne jemi të shqetësuar si Qeveri e Republikës së Kosovës për pozitën diskriminuese që kanë shqiptarët në Luginën e Preshevës. Jemi po ashtu të shqetësuar që Beogradi vazhdon të ndjekë një politikë të frymës dhe të kohës së Milleshoviçit ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe është detyrim i shtetit të Kosovës që ta mbështesë dhe ta promovojë integrimin të të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë në rajon”, tha Hoxhaj.(LajmeShqip.com)