Lajme Shqip Wednesday, 21 November 2012 20:22

Prishtinë  – Nuk mund të ketë vendim tjetër pos lirues për ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi që për të njëjtat akuza është gjykuar njëherë në Tribunalin e Hagës. Nëse ka pak drejtësi në atë Tribunal, Haradinaj do të duhej të lirohej nga të gjitha akuzat. Por, deklaratat e zyrtarëve serb mund të ndikojë në vendimin përfundimtar të Tribunalit të Hagës, e që mund të jetë politik, jo i drejtë dhe jo legjitim.

Këto janë vlerësimet që i jep avokati Tomë Gashi, i cili për një kohë të gjatë ka qenë edhe pjesë e skuadrës për mbrojtjen e RamushHaradinajt në Tribunalin e Hagës. E në anën tjetër, qytetarët mezi e presin vendimin e Tribunalit të Hagës, e që për ta do të jetë vetëm lirues.

Avokati Tomë Gashi, i cili për një kohë të gjatë ka qenë pjesë e skuadrës për mbrojtjen e Ramush Haradinajt në Tribunalin e Hagës, ka thënë se është hera e parë në historinë e Tribunalit të Hagës që një rast të kthehet në rigjykim.

Rigjykimi, sipas tij, ka ndodhur për shkak të dëshmive të dy dëshmitarëve, të cilët prokurori i ka konsideruar se janë të vlefshëm dhe ata dëshmitarë nuk janë marrë në pyetje gjatë gjykimit të shkallës së parë.

Gashi ka thënë se vetë fakti se është hera e parë në historinë e Tribunalit të Hagës që e ka kthyer në rigjykim lëndën e Ramush Haradinajt, tregon se nuk është diçka në rregull me Tribunalin e Hagës.

“Unë mendoj se vetë fakti që është hera e parë që në historinë e Tribunalit të Hagës ndodh një rigjykim tregon se diçka nuk ka qenë në rregull me Tribunalin e Hagës, për shkak se e ka aprovuar atë dhe sigurisht se ka pasur edhe konotacion politik, meqenëse atje nuk e fshehin që Tribunali i Hagës është një lloj gjykate politike për ngjarjet e luftës që kanë ndodhur në ish-Jugosllavi dhe kemi një ngjarje që askush prej komandantëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk është dënuar me aktgjykim të plotfuqishëm në Tribunalin e Hagës dhe as në Kosovë dhe presioni i paparë është i Qeverisë së Serbisë, ka qenë edhe më parë, është edhe tani”, ka thënë ai.

Lidhur me vendimin përfundimtar të gjykatës të ndërkombëtare të Hagës për krime luftë në ish-Jugosllavi, Gashi ka thënë se është pozitive që Ramush Haradinaj për vepra të njëjta është gjykuar njëherë.

Në këtë drejtim, Gashi ka thënë se në aspektin juridik nuk mund të pritet vendim tjetër pos atij lirues, e që do ta konfirmonte vendimin e parë që ishte po i njëjti.

“Ai veç njëherë është gjykuar për akuza të njëjta dhe ka pasur epilog lirues. Kështu që, në aspektin juridik ne nuk mund të presim vendim tjetër përveç një aktgjykimi lirues, i cili do ta vërtetojë në një mënyrë, edhe aktgjykimin e mëhershëm që po ashtu ka qenë lirues”, ka thënë ai.

Në këtë drejtim, Gashi ka thënë se nën ndikimin e Serbisë, Tribunali i Hagës mund ta marrë një vendim krejtësisht politik, jo të drejtë dhe jo të ligjshëm.

Ai shtoi se provat që janë shqyrtuar në këtë rigjykim, janë shqyrtuar edhe në gjykimin e mëhershëm dhe me prova të njëjta nuk mund të ketë kurrfarë epilogu të tjetër pos epilogut të mëparshëm që ka qenë lirues.

Gashi ka thënë se shihet qartë se presioni i Serbisë në Tribunalin e Hagës, për ta dënuar Ramush Haradinajn vjen pas vendimit lirues për dy gjeneralët kroatë, sepse sipas tij, Tribunali i Hagës nuk pranon më lëndë të reja për ish-Jugosllavinë.

Ai ka thënë se Ramush Haradinaj nuk ka qenë edhe shumë i ndihmuar nga shteti i Kosovës, duke mbetur gjithçka në barrën e tij dhe të familjes dhe kjo nganjëherë krijon përshtypjen sikur Haradinaj dhe disa luftëtarë të tjerë që akuzohen, kanë bërë luftë private me Serbinë, e jo në emër të shtetit të Kosovës.

Kurse qytetarët e Kosovës e presim me padurim lirimin e tij nga gjykata e Hagës, duke thënë se ai njeri i duhet shumë Kosovës.

Remzije Krajkova, qytetare nga Prishtina, thotë se shpreson në lirimin e Ramush Haradinajt.

“Gëzim më të madh nuk ka, mezi presim të lirohet, ishalla lëshohet dhe po mbajnë ymyt se do të lëshohet. Ai njeri i nevojitet shumë Kosovës, shumë njeri i mirë, i pafajshëm”, ka thënë ajo.

E Zymer Maxharri është i bindur 100 për qind në pafajësinë e tij, duke thënë se lufta i ka elementet e veta, e paqja i ka të tjera.

“Unë besoj se 100 për qind është i pafajshëm, lufta i ka elementet e veta, faqja i ka tjera. Prandaj e përshëndes ardhjen e tij dhe e përgëzoj”, ka thënë ai.

Kurse për qytetarin Sejdi Halimi thotë se Ramush Haradinaj është një hero i madh, i cili dha shumë për këtë vend, prandaj kthimi i tij është një sukses shumë i madh.

“Ne me gjithë kënaqësi e presim 29-in, verdiktin e Gjykatës së Hagës që Ramushi të lirohet, të kthehet, së pasi pranë familjes së vetë, pranë gjirit familjar, dhe t’i kthehet punës aty ku e ka lënë. Prandaj, kthimi i Ramushit do të thotë shumë. Ramushi ka qenë një punëtor shumë i madh, ka qenë një luftëtar i dinjitetshëm dhe ka kontribuar për çështjen e Kosovës, për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ramushi është një hero i vërtetë ”, ka thënë ai.

Ndryshe,presidenti serb, Tomisllav Nikoliq, pas vendimit të fundit të gjykatës së Hagës, e cila i shpalli të pafajshëm dy gjeneralët kroat,ka deklaruar se Haga me vendime të këtilla të pa drejta po pengon pajtimin e popujve të përfshirë në konflikt.

“ Gotovina dhe Metraq nuk janë të vetmit, të cilët pas krimeve të luftës mbi serbët janë shpërblyer nga Tribunali i Hagës. Edhe në prill të vitit 2008, Ramush Haradinaj, komandant i njësisë speciale “Shqiponjat e zeza”, ishte liruar nga akuzat, edhe pse ai në mënyrë brutale ka vepruar për dy vjet rresht nëpër Kosovë, ku më shumë se 300 viktima janë si rezultat i këtij veprimi si dhe më shumë se 400 të tjerë janë kidnapuar “, ka deklaruar Nikoliq.

Drejtori i Zyrës për Kosovë, Aleksandër Vulin ka deklaruar se pafajësia e Haradinajt do të ketë një efekt negativ në dialogun Beograd-Prishtinë, por edhe në gjendjen në terren.

“Si mund të diskutojmë për personat e zhdukur, viktimat dhe pasurinë konfiskuar, nëse përballë nesh është ulur dikush që është akuzuar në mënyrë të drejtpërdrejt me rrëmbime dhe vrasje dhe që ka grumbulluar pasuri pikërisht pse a konfiskuar pronën e serbeve. Pafajësia e Haradinajt do të dërgojë një mesazh të qartë për komunitetin serb se nuk ka drejtësi për ata”, ka thënë Vulin.

Ndërkaq, ish-sekretari i shtetit në Ministrinë e qeverisë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq ka thënë se lirimi i Haradinajt do të shkatërrojë mbeturinat e fundit të besimit në Tribunalin e Hagës dhe do t`i dëmtoj negociatat mes Prishtinës dhe Beogradit.

Kurse, Qeveria e Republikës së Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të zyrtarëve të lartë të Serbisë, lidhur me procesin e rigjykimit ndaj ish- komandantit të UÇK-së për Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Harandinaj dhe bashkëluftëtarëve të tij, duke thënë se ato deklarata janë tendencë për të ndikuar në vendimin e Tribunalit të Hagës për rastin Haradinaj.

Qeveria e Kosovës, nëpërmjet një komunikate për media ka thënë se janë duke përcjell më vëmendje të veçantë procesin në Tribunalin e Hagës ndaj ish-komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit të UÇK-së, Ramush Harandinaj dhe bashkëluftëtarëve të tij dhe se së bashku me të gjitha institucionet e vendit kanë respektuar çdo bashkëpunim me Tribunalin e Hagës dhe në këtë kuadër Republika e Kosovës është shembull i mirë i bashkëpunimit me drejtësinë ndërkombëtare.

“E ritheksojmë se Qeveria dhe populli i Kosovës gjithmonë kanë besuar në drejtësinë ndërkombëtare dhe në luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Qeveria e Republikës së Kosovës rithekson se drejtësia duhet të jetë e pavarur, e paanshme dhe profesionale, dhe të mos ndikohet nga askush, e as nga politika. Deklaratat e zyrtarëve të lartë institucionalë të Serbisë janë tendencë për të ndikuar në vendimin e Tribunalit të Hagës për rastin e Haradinaj”, thuhej në komunikatë.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka qenë e kujdesshme në deklarimet lidhur me proceset gjyqësore në Hagë dhe kërkojmë që edhe autoritetet e Serbisë dhe të tjerët të jenë të përmbajtur dhe të mos tentojnë të ndikojnë në vendimet gjyqësore.(K.P)