Lajme Shqip Thursday, 31 March 2011 12:26

Prishtinë – Deputetët e pozitës dhe opozitës kanë replikuar sot rreth vendimit të djeshëm të Gjykatës Kushtetuese.

Partitë opozitare ende nuk deklarohen qartë nëse do të marrin pjesë në seancën kur do të votohet presidenti i vendit pasi që Gjykatat Kushtetuese e ka shpallur jokushtetues lirimin e sallës nga deputetët e opozitës më 22 shkurt, kur u votua për presidentin Pacolli.

Derisa ende nuk dihet nëse opozita do ta respektojë këtë vendim të Gjykatës, në fillim të seancës së sotme deputetët e pozitës dhe opozitës kanë replikuar për këtë çështje. Deputeti i partisë Demokratike, Berat Buzhala ka paralajmëruar se nëse ndodh edhe njëherë që deputetët e opozitës të braktisin sallën gjatë votimit për presidentin, atëherë ata mund të përballen me Gjykatën Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese në aktvendimin e publikuar dje, thotë se janë bërë dy shkelje të Kushtetutës në seancën e 22 shkurtit.

Fakti se ka pasur vetëm 1 kandidat për president dhe braktisja e sallës nga deputetët.

“Zgjedhja e Presidentit të Kosovës, i cili sipas nenit 83 është Kreu i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e njerëzve të Republikës së Kosovës, është e një rëndësie kaq të madhe, saqë të gjithë deputetët, si përfaqësues të popullit të Kosovës, duhet ta konsiderojnë si detyrë kushtetuese të tyren”, thuhet në aktgjykim.