Lajme Shqip Monday, 08 October 2012 14:22

PRISHTINË – “Kosova është shtet laik, i ndërtuar mbi parimin qytetar”, tha sot presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, në ceremoninë e vënies së gurthemelit të xhamisë në Prishtinë, ku ishin edhe drejtues të tjerë të vendit dhe drejtues fetarë, kosovarë e të rajonit.

“Kosova është vend ku kulturat, traditat e fetë janë gërshetuar përgjatë shumë shekujve dhe ku bashkëjetesa mes tyre ka qenë e vazhdon të jetë virtyt dhe vlerë e saj, është vend i besimit në njeriun dhe i mirësisë mes njerëzve, vend i tolerancës dhe respektit fetar”, u shpreh ajo.

Presidentja shtoi se, ky gërshetim vlerash fetare e kulturore i ka dhënë Kosovës dhe qytetarëve të saj një vlerë më të madhe: atë të guximit të bashkëjetesës në diversitet dhe të punës së përbashkët drejt të ardhmes më të zhvilluar.

“Shteti ynë është shtet laik, i ndërtuar mbi parimin qytetar që garanton çdo të drejtë të secilit individ e komunitet dhe lirinë fetare si një të drejtë demokratike. Është shtet multikulturor e multifetar, shtet gjithëpërfshirës, që respekton vullnetin e qytetarëve të tij dhe njëkohësisht vlerëson edhe përgjegjësitë dhe kontributin e secilit, për një jetë më të mirë dhe të lirë të çdo qytetari”, theksoi Jahjaga

Ajo tha se, feja në Kosovë sot është një promotor i paqes dhe urtësisë, i bashkëjetesës dhe solidaritetit mes njerëzve, është urë lidhëse mes të gjitha komuniteteve. “Ajo mund të ndërtojë të sotmen e përbashkët, duke hapur rrugë të së ardhmes për shtetin tonë gjithëpërfshirës”, tha presidentja e Republikës së Kosovës.(LajmeShqip.com)