Lajme Shqip Monday, 02 May 2011 13:19

Prishtinë – Përgatitjet për edicionin e njëmbëdhjetë të Universitetit Veror të Prishtinës, tashmë janë në përfundim. Afati për aplikim përfundon më 10 maj. Në këtë edicion, i cili mbahet nga 11 deri më 22 korrik, janë të ftuar profesorë ndërkombëtarë dhe vendorë, për të ligjëruar në gjithsej 23 kurse të ndryshme.

Universiteti Veror ofron mundësi të zgjerimit të njohurive në fusha të ndryshme studimi. Deri tani kanë aplikuar mbi 400 studentë nga e mbarë bota, thonë organizatorët e universitetit veror.

Zyrtari për informim në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës, Isuf Ibërdemaj, tha se numri i të interesuarve është shumë i madh, por do të përzgjidhen rreth 450 studentë për të vijuar kurset e këtij universiteti.

Profesorët të cilët do të ligjërojnë në 23 kurse në universitetin veror tashmë janë përzgjedhur. Ata vinë nga shumë vende të ndryshme të botës.

Kurset që do të ndjekin studentët do të jenë nga lëmi i drejtësisë, ekonomisë, shkencave shoqërore, natyrore, mjekësisë, inxhinierisë, arkeologjisë, e shumë të tjera. Organizatorët thonë se përveç kurseve, programi do të përfshijë edhe punëtori të ndryshme, forume publike, ekskursione, e të tjera.