Lajme Shqip Friday, 29 April 2011 12:40

Prishtinë – Qeveria e Kosovës ka vendosur që të themelojë Institutin për Humumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë, i cili do të grumbullojë, përpunojë, klasifikojë dhe arkivojë lëndët për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe vlerave të mbrojtura me të drejtën ndërkombëtare, duke filluar nga viti 1990, deri në vitin 1999.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka thënë se ky institute do të jetë një institucion publik hulumtues në kuadër të të Ministrisë së Drejtësisë.

Ai ka theksuar se përgatitja e të dhënave statistikore dhe të dhënave tjera mbi rezultatet do të jenë të publikuara dhe do të jenë pjesë të rezultateve të hulumtimeve që bëhen nga ekspertët vendorë dhe ndërkombëtarë.

Por për ngritjen e një padie për krimet e kryera në Kosovë, Kuçi ka thënë se kërkohet të plotësohen disa kushte, ngase dihet se Kosova duhet të jetë anëtare e OKB-së ose nënshkruese e Statutit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, në mënyrë që të mund të ngris padi.

Ndryshe,  kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për studimin e fizibilitetit dhe fillimin e procedurave për analizimin e opsioneve kontraktuese për operim dhe mirëmbajtje të autostradës Vërmicë-Merdare dhe vendimin për studimin e fizibilitetit dhe fillimin e procedurave për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Hani i Elezit.

Po ashtu, kabineti qeveritar ka miratuar ratifikimin e konventës së Këshillit Botëror të Doganave, vendimin për aplimin e normës së tatimit të akcizës në lojëra të fatit dhe vendimin për themelimin e Këshillit Konsultatit për Drejtësi.