Lajme Shqip Wednesday, 27 April 2011 11:19

Prishtinë – Marrëveshja e re midis partnerëve të koalicionit qeverisës pritet të formalizohet sot pasdite pas një takimi mes kryeministrit Hashim Thaçi dhe kreut të Koalicionit për Kosovën e Re, Behgjet Pacolli.

Ende nuk janë përfunduar të gjitha modalitet se cilat do të jenë kompetencat e Behgjet Pacollit si zëvendëskryeministër i parë, dhe se sa dhe cilat ministri shtesë do t’i jepen Koalicionit për Kosovën e Re, por Ibrahim Gashi i AKR-së, la të kuptohet se Behgjet Pacolli ka pranuar postin e zëvendëskryeministrit të parë, pas takimit të mbrëmshëm me kryeministrin Thaçi.

Megjithëkëtë, Gashi nuk saktësoi nëse kryeministri Thaçi ka pranuar që t’ia plotësojë kërkesat Pacollit për kompetencat e kërkuara nga ai, si zëvendëskryeministër i parë.

Rinegocimi i marrëveshjes së koalicionit  vjen si rezultat i marrëveshjes politike të 6 prillit Thaçi-Mustafa-Pacolli, me të cilën ky i fundit u tërhoq nga rikandidimi për postin e presidentit, pasi Gjykata Kushtetuese e kishte shpallur jokushtetuese zgjedhjen e tij president.