Lajme Shqip Wednesday, 13 April 2011 10:18

Prishtinë – Kryeministri Thaçi dhe drejtori i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, Janush Bugajski gjatë një takimi që patën sot janë fokusuar në çështjen e lobimit.

Ata u pajtuan që të fillojë puna për organizimin në një të ardhme të afërt të një konference ndërkombëtare në Washington për rritjen e numrit të njohjeve të reja për Kosovën.

Në takim është diskutuar për zhvillimet aktuale politike në Republikën e Kosovës dhe në rajon. Kryeministri Thaçi e informoi Bugajskin për zhvillimet politike aktuale ne vendin tonë, ndërsa theksoi se me marrëveshjet e arritura midis partive politike kosovare për zgjedhjen e presidentit dhe për reformën e domosdoshme të Ligjit Zgjedhor si dhe për atë të zgjedhjes së presidentit drejtpërdrejt nga populli.

Ai shtoi se është krijuar një klimë pozitive për thellimin e mëtejshëm të reformave të gjithëmbarshme në politikë, ekonomi dhe legjislacion, në funksion të përmbushjes së plotë të standardeve për integrimin e Republikës së Kosovës në institucionet euro-atlantike.

Drejtori i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, Janusz Bugajski, e ka vlerësuar lartë përkushtimin e vazhdueshëm të kryeministrit Thaçi dhe angazhimin e tij për tejkalimin e ngërçit politik.

Në takim, të dy bashkëbiseduesit janë dakorduar që të fillohen angazhimet për organizimin në një të ardhme të afërt të një konference ndërkombëtare në Uashington për rritjen e numrit të njohjeve të reja për shtetin e Kosovës dhe për investimet e reja të huaja në Republikën e Kosovës.