Lajme Shqip Thursday, 24 March 2011 16:35

Prishtinë – Grupi drejtues i ekspertëve evropianë për dokumente, në kuadër të Rrjetit Evropian të Instituteve Shkencore të Forenzikës (ENFSI), mbajti sot një takim në Prishtinë ku morën pjesë ekspertë vendorë edhe të huaj.
Hapjen e takimit e bëri ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, i cili vlerësoi se një organizëm që grumbullon ekspertët e fushave të ndryshme të forenzikës, Rrjeti Evropian i Instituteve Shkencore të Forenzikës vazhdon të luajë një rol pozitiv në drejtim të bartjes së dijes dhe të ekspertizës tek të gjitha vendet që kanë kërkuar asistencë.
“Vlerësimi juaj pozitiv sa i përket gatishmërisë për të mbështetur edhe vendin tonë, vetëm sa e konfirmon gatishmërinë e ekspertëve tuaj që të përmbushin synimin primar, bartjen e ekspertizave dhe përvojave shkencore te vendet me nevojë në shkencën e forenzikës”,  tha ministri Rexhepi.
Ai theksoi se Ministria e Punëve të Brendshme ka përfunduar me procesin e rishikimit funksional të Ministrisë, e me këtë edhe ka filluar zbatimi i rekomandimit për avancimin e strukturës së Laboratorit Nacional të Forenzikës në një agjenci të pavarur shkencore.
Ai pohoi se brenda dy viteve të ardhshme, pritet që me mbështetjen e Qeverisë së Kosovës dhe partnerëve të tjerë, të avancohen edhe fushat e ndryshme të ekspertizës, të cilat deri tani janë përmbushur me ndihmën e partnerëve nga vendet e rajonit dhe atyre të Bashkimit Evropian.
Ndërsa u.d i kryeshefit ekzekutiv të Agjencionit të Laboratorit të Forenzikës, Blerim Olluri, tha se në proces e sipër është drafti i Ligjit për themelimin e Agjencisë së Forenzikës dhe synohet anëtarësimi në ENFS.