Lajme Shqip Tuesday, 22 March 2011 07:57

Prishtinë – Studentët e Biologjisë Aplikative kanë protestuar dje para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, me arsyetimin se vendimi i nxjerrë nga Qeveria dy vjet më parë nuk po zbatohet nga Universiteti. Megjithatë, rektorati  publikoi vendimin në bazë të të cilit ligjëratat për këta studentë do të fillojnë më 4 prill të këtij viti për nivelin baçelor dhe master.

 

Studentët e Biologjisë Aplikative e nisën protestën e tyre nga Fakulteti i Filologjisë deri te Rektorati, duke kërkuar që të zbatohet vendimi i Qeverisë së Kosovës, i para dy viteve. Rektorati, nuk arriti të bindë studentët se janë siguruar kushtet për vazhdimin e ligjëratave për ata të cilët kanë përfunduar studimet baçelor apo master.

 

Bujar Rexhaj, inxhinier i biologjisë, tha se vendimi që është marrë para dy vjetësh nga kryeministri, nuk është zbatuar.

“Një vendim që është marrë para dy vitesh nga ana e kryeministrit nuk është zbatuar. Ai vendim e obligon Rektoratin që në Bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave dhe atë të Mjekësisë të caktoj një cikël lëndësh shtesë, i cili është caktuar nga profesorët e Tiranës, mirëpo nuk ka hyë në zbatim ende”, ka thënë Rexhaj.

 

Sipas tij, për këtë arsye këta studentë kanë mbetur pa u licencuar nga Ministria e Shëndetësisë.  Studentët i priti rektori Mujë Rugova, i cili sqaruar të gjitha hollësitë e vendimit. Sipas rektorit Rugova, është krijuar stafi akademik dhe është krijuar moduli shtesë i studimeve, i cili do të ndiqet nga studentët në mënyrë që ata të marrin titullin laborant i lartë.

 

Ndërsa, rektori Mujë Rugova tha se në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, ky grup i studentëve do të vazhdojë shkollimin e mëtutjeshëm.

“Ky menaxhment ka arritur, në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës dhe Fakultetin e Mjekësisë së Universitetit të Prishtinës, që ky grup i studentëve me këtë kualifikim të vazhdojë një shkollim të mëtutjeshëm, që përfshin një vlerë prej 60 kredive dhe të marrë diplomën e merituar për shkollimin që e ka bërë”, ka thënë rektori Rugova.

 

Sipas këtij vendimi, deri më 1 prill të gjithë studentët duhet t’i paraqesin dokumentet në Fakultetin e Shkencave, të cilat më pas shkojnë në Fakultetin e Mjekësisë dhe mësimi do të filloj më 4 prill.