Prishtinë – Drejtues të Parlamentit të Studentëve të Universitetit të Prishtinës kanë hedhur një varg kritikash në drejtim të institucioneve të vendit lidhur me mbarëvajtjen e procesit të regjistrimit të popullsisë, duke thënë se procesi nuk është duke shkuara siç duhet, pasi që në të janë inkuadruar njerëz jo adekuat.
Ata, gjithashtu, kanë shprehur shqetësimin e tyre për mospërfshirjen e pjesës Veriore të Mitrovicës në këtë proces të rëndësishëm për Kosovën.
Kryetari i Parlamentit të Studentëve të Universitetit të Prishtinës, Selim Daku, të hënën në një konferencë për media, ka theksuar se deri në fund të procesit të regjistrimit kanë mbetur edhe 4 ditë, dhe duke pasur parasysh këtë kohë, ky proces nuk është duke shkuar si duhet, për arsyeje se në të janë inkuadruar njerëzit jo adekuat. Ai ka shprehur shqetësimin e Parlamentit Studentor, për mos përfshirjen e pjesës Veriore të Mitrovicës në këtë proces.
Ai ka shtuar se marrëveshjet në mes Kosovës dhe Serbisë për regjistrimin e popullsisë në pjesën veriore të Kosovës, janë të panevojshme, sepse siç ka thënë ai, Kosova tashmë është shtet i pavarur dhe nuk duhet të negociojë me askënd për këtë çështje.