Lajme Shqip Thursday, 05 May 2011 11:32

Prishtinë – Borko Stefanoviq do të vijë i papenguar në Prishtinë, por nuk do të dijë me kë të takohet. Zyrtarët institucionalë në Kosovë nuk kanë shprehur gatishmëri për t’i shtrënguar duart me të, tani.

Përfaqësuesi i Serbisë në dialogun teknik Kosovë-Serbi ka thënë të mërkurën të ketë mbështetjen e udhëheqjes së shtetit serb për ta vizituar Prishtinën dhe për të takuar dikë nga zyrtarët kosovarë para se të mbahet raundi i katërt i dialogut në Bruksel, diku në mes të muajit. Të njëjtën ditë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se do t’i japë leje Stefanoviqit të hyjë në Kosovë.

Mirëpo, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, që është kryesuese e ekipit kosovar në këtë dialog, ka vlerësuar të mos jetë momenti i duhur që ndonjë zyrtar qeveritar ta presë në takim këtë zyrtar serb.

“Jam e njoftuar me planet e përfaqësuesit të Serbisë në dialogun teknik, z. Stefanoviq, për interesimin e tij për ta vizituar Kosovën dhe për të takuar përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës. Këtë e ka shprehur edhe më herët në takimet në Bruksel”, ka thënë Tahiri, në një prononcim për “Kohën Ditore”.

“Natyrisht plani i tij nga ne është i mirëpritur, mirëpo unë i kam rekomanduar që një vizitë e tillë, mbase, do të duhej të bëhej kur të arrihej ndonjë marrëveshje konkrete si rezultat i dialogut teknik”.