Lajme Shqip Wednesday, 13 April 2011 15:54

Prishtinë – Seanca gjyqësore ndaj Fahredin Gashit-Farukut dhe Hysri Ramës, i njohur si Rasti “Bllaca”, ka vazhduar të mërkurën me paraqitjen e dëshmisë së Nazim Bllacës, i cili është marrë në pyetje nga mbrojtja. Konfrontimet e mëdha në mes të mbrojtjes dhe prokurorisë kanë bërë që shumë nga pyetjet, të cilat avokati mbrojtës i Gashit, Tahir Rrecaj ia ka parashtruar Bllacës, të mbeten me përgjigje të mangëta, pasi që prokurori i lëndës Mauricio Salustro është “përkujdesur” që dëshmitari të mos ballafaqohet vazhdimisht me deklaratat e tij të mëparshme.

Ndërhyrja e vazhdueshme e Salustros pas çdo ballafaqimi që Rrecaj ia bënte Bllacës, ka nxitur mbrojtjen që disa herë t’ia përkujtojë prokurorit se ai është duke dalë jashtë kornizave, të cilat ia lejon pozita.

Në pyetjen e avokatit Rrecaj, se cila ishte arsyeja e prishjes së raporteve në mes të dëshmitarit dhe të akuzuarit, Bllaca ka ripërsëritur edhe një herë se kjo kishte të bënte me probleme biznesore.

Bllaca deklaroi se pas acarimit të marrëdhënieve në mes të tyre, Gashi kishte kërcënuar atë dhe familjen e tij, duke u thënë që të kenë kujdes në rrugën që ndjekin.

Gjatë seancës, avokati Rrecaj, ndërkaq, ka shfaqur dyshimet e tij në raportet e mira në mes të Gashit dhe Bllacës.

Bllaca e ka përmendur Gashin si të dyshuar për vrasjen e Adem Lahut nga Kraishta, rast ndaj të cilit Prokuroria e EULEX-it kishte filluar hetimet, porse kjo lënë ishte lënë në gjysmë për shkak të mungesës së provave.

Avokati Rrecaj ka shfaqur dyshimet e tij se dëshmia e Bllacës është e parapërgatitur.

Duke iu referuar DVD-së së Nazim Bllacës të cilën e kishte bërë publike në nëntor 2009, Rrecaj ka thënë se deklaratën dhe incizimin është dashur ta bëjë para prokurorit publik, sepse prokurori është ai i cili merret me hetime dhe ndjekjen e veprave penale dhe jo personat para të cilëve e ka bërë edhe incizimin.

Ai ka drejtuar kritika edhe në adresë të ish-kryeprokurorit Teo Jakobs për mënyrën se si Bllaca është marrë në pyetje gjatë paraqitjes së dëshmisë.

Ndërkaq, reagimet e prokurorit Salustro gjatë seancës gjyqësore, Rrecaj i ka quajtur jo profesionale dhe tendencë për të krijuar huti te pala mbrojtëse.

Fahredin Gashi – Faruku dhe Hysri Rama akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës, pas një dëshmie të dhënë nga Nazim Bllaca, për vrasjen e Sali Gashit.

Seanca gjyqësore e rastit “Bllaca” do të vazhdojë të enjten, në Gjykatën Supreme të Kosovës.