Lajme Shqip Friday, 06 May 2011 12:35

Prishtinë – Gjendja e përgjithshme e sigurisë dhe e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës është e qetë dhe stabile, por mund të klasifikohet në suaza të brishtësisë, sidomos në pjesën veriore të vendit”, tha ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi. Rexhepi raportoi sot në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, e cila po vazhdon me debatin parlamentar lidhur me gjendjen e sigurisë dhe sundimin e ligjit në Kosovë.

Sipas Rexhepit, e gjithë situata edhe në veri është “nën kontroll si rezultat i angazhimit të gjitha institucioneve përgjegjëse të sigurisë, duke filluar nga Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i, të cilët janë duke u angazhuar në ruajtjen e rendit dhe të situatës së sigurisë në këtë rajon, por edhe në tërë Republikën e Kosovës”.

Debati parlamentar lidhur me gjendjen e sigurisë dhe sundimin e ligjit në Kosovë po zhvillohet sipas kërkesës së deputetit të PDK-së, Nait Hasani, mbështetur nga deputetë të tjerë, i cili në fjalën e tij me tone mjaft kritike paraqiti problemet e sigurisë në vend, si pasojë e mungesës së sundimit të ligjit, në veçanti në veriun e dominuar nga serbët dhe strukturat e tyre paralale.