Lajme Shqip Wednesday, 13 April 2011 14:56

Prishtinë – Studentët e Universitetit të Prishtinës kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të arrestuar ditëve të fundit nga Policia e EULEX-it, ndërkaq kanë kërkuar nga misioni evropian që ta respektojë kushtetutshmërinë në Kosovë.

Studentë dhe qytetarë të shumtë kanë marshuar nga Fakulteti i Filologjisë deri te ndërtesa e EULEX-it, përderisa në duar mbanin parullat “Mos bëni pazare politike”, “EULEX, Made in Serbia”, “UÇK-Lavdia e kombit” etj.

Kryetari i Parlamentit Studentor, Selim Daku ka thënë se lufta e UÇK-së, ishte luftë e drejtë, e pastër dhe dinjitoze, me të cilën krenohen studentët dhe gjithë populli i Kosovës.

Ai ka theksuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është ushtria që ka bërë luftën më të pastër dhe të drejtë në mbrojtje të civilëve dhe të popullit të pafajshëm të Kosovës, për lirinë dhe pavarësinë e vendit, liri, e cila erdhi falë këtyre njerëzve që sot akuzohen dhe mbahen në burgje padrejtësisë.

Ai me këtë rast ai ka renditur pesë kërkesa drejtuar misionit të EULEX-it.

Studentët në protestën e tyre kanë theksuar se shqiptarët më shumë se çdo popull tjetër kanë qenë të përvuajtur dhe asnjëherë nuk kanë kërkuar t’i marrin dikujt diçka, por kanë luftuar për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

Kërkesat për EULEX-in, me gjithë parullat që këtë mision e konsideronin si produkt serb, studentët dhe qytetarët protestues i kanë lënë para ndërtesës së EULEX-it, për t’i përkujtuar kërkesën e vazhdueshme për lirimin e çlirimtarëve dhe për respektimin e vlerave të UÇK-së.