Lajme Shqip Wednesday, 20 April 2011 11:35

Prishtinë – Mbrëmë në mesnatë ka përfunduar regjistrimi i popullsisë në 34 komuna të Kosovës duke përfshirë komunat me shumicë serbe por jo edhe ato të veriut të Kosovës.

Procesi i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave ka përfunduar mbrëmë në orën 24.

Ky proces, i filluar më një prill dhe i paraparë të përfundojë më 15 të këtij muaji, ishte shtyrë në shtatë komuna të Kosovës për katër ditë për shkak të ankesave të qytetarëve se nuk ishin përfshirë në këtë proces.

Zyrtarja për informim nga Enti i Statistikave të Kosovës, Majlinda Lulaj- Sinani, thotë se shtyerja ka qenë e efektshme

Sipas saj, regjistrimi i popullsisë është vazhduar në shtatë komuna të Kosovës dhe kjo është bërë për arsye të të dhënave ose shënimve të raporteve që i kemi pasur nga komunat përkatëse thjesht për një jombulueshmëri mbase të mjaftueshme gjatë periudhës së paraparë deri më 15 prill. “Konsiderojmë që kjo ka qenë e efektshme për arsye se në fakt është rritur edhe interesimi i qytetarëve gjatë kësaj periudhe”, ka thënë ajo.

Sinani-Lulaj thotë se ky proces është monitoruar edhe nga mekanizma të caktuar ndërkombëtarë. Ndërsa, sipas ligjit për regjistrimin e popullsisë, të dhënat paraprake do të bëhen publike në muajin qershor, ndërsa ato përfundimtare do të publikohen më 2013.

“Bazuar në ligjin për regjistrimin e poullsisë Enti i Statistikave të Kosovës është institucioni kompetent i cili pas vërtetimit të saktësisë dhe validitetit të të dhënave do të ofrojë të dhënat preliminare më së largu deri më 30 qershor 2011. Rezultatet përfundimtare do të ipen në bazë të ligjit për regjistrimin e popullsisë parashihet të ipen deri në dhjetor të vitit 2013”.

Në procesin e regjistrimit të popullsisë ekonomive familjare dhe banesave nuk janë përfshirë tri komunat në veri të Kosovës.