Lajme Shqip Friday, 15 April 2011 16:41

Prishtinë – Është vazhduar edhe për dy muaj paraburgimi dhe arresti shtëpiak për 9 ish-pjesëtarët e UÇK-së, të arrestuar para një muaji nga EULEX-i.

Avokatët mbrojtës kanë konfirmuar se paneli gjyqësor i kryesuar nga një gjyqtar i EULEX-it, ka vendosur zgjatjen e këtyre masave për të dyshuarit e rastit “Kleçka”.

Një panel gjyqësor u ka zgjatur paraburgimin dhe arrestin shtëpiak 9 personave të dyshuar për krime lufte, duke iu përgjigjur pozitivisht kërkesës që kishte bërë prokuroria.

Njëri nga mbrojtësit e të dyshuarve Florim Vertopi, avokat i Naser Krasniqit, ka konfirmuar se vendimi i gjykatës është i njëjtë me atë të një muaji më parë.

Me 16 mars nën dyshimin për krime lufte në të ashtuquajtur rastin ”Kleçka” janë arrestuar 9 persona, 7 nga të cilët po mbahen në paraburgim dhe 2 të tjerë në arrest shtëpiak.Mbrojtja e të dyshuarave ka paralajmëruar ankesë në vendimin e gjykatës dhe mundësinë e kërkesës së përjashtimit nga procesi të prokurorit të lëndës, Mauristo Salustra.

Hetimi po zhvillohet në dyshimin se gjatë vitit 1998 këta persona kanë torturuar dhe vrarë civilë serbë e shqiptarë në Kleçkë të Malishevës.