Lajme Shqip Monday, 18 April 2011 11:08

Prishtinë – Prokuroria Publike e Qarkut në Prishtinë ka konfirmuar zyrtarisht se janë duke zhvilluar hetime intensive ndaj pesë ish-ministrave të Qeverisë së Kosovës dhe paralajmëroi se shumë shpejt priten edhe ngritjet e aktakuzave ndaj tyre.

Kryeprokurori, Aleksandër Lumezi, në një intervistë për “Zëri” zotohet se nuk do të kursejnë asnjë person që e ka shkelur, apo që e shkelë ligjin, pavarësisht nga pozita që e gëzon, apo që ka gëzuar dikur. Politikanët dhe zyrtarët e lartë të institucioneve të Kosovës, për të janë si të gjithë qytetarët e tjerë.

“Politikanët janë personalitete kaluese. Ata dikur do të shndërrohen në qytetarë të thjeshtë dhe to të hiqen nga pozitat prej deputeti, ministri apo funksioneve të larta partiake. Pavarësisht pozitave, ne nuk i ndalim hetimet. Mund të them se aktualisht jemi duke hetuar pesë ish-ministra, ndërsa për emrat e qeverisë aktuale, në prokurorinë tonë nuk ka lëndë”, ka thënë Lumezi.

Pa një luftë të tillë kundër të gjithë atyre që kanë shkelur ligjin, Lumezi thotë se nuk mund të kemi shtet demokratik dhe shtet ku funksionon rendi e ligji.

“Në këtë vend nuk mund të ketë drejtësi nëse ata (politikanët) punojnë padrejtësisht”, deklaroi Lumezi, i cili që nga procesi i riemërimit udhëheq Prokurorinë Publike të Qarkut në Prishtinë.

Prokuroria të cilën Lumezi e drejton, ka vetëm gjashtë prokurorë ndërsa, sipas të parit të këtij institucioni hetues, në duar të prokurorëve janë rreth 1000 lëndë.

“Diku rreth 1000 raste i ka aktualisht të pakryera Prokuroria, ndërsa rreth 80 për qind prej këtyre rasteve janë në punë. Këtu po flasim për rastet ku personat janë të njohur, por kemi edhe rastet me persona të panjohur…”, potencoi Lumezi.

Prioritet për të dhe Prokurorinë, siç tha ai, është lufta kundër korrupsionit, por edhe luftimi i dukurive të tjera negative, siç është trafikimi me qenie njerëzore, vrasjet, vrasjet e rënda, kontrabanda etj.