Lajme Shqip Wednesday, 20 April 2011 14:18

Prishtinë – Ministria e Arsimit, Rektorati dhe dekani i Fakultetit të Edukimit, kanë arritur sot një marrëveshje mirëkuptimi, sipas të cilës procesi i studimeve në fakultetin e Edukimit, do të vazhdojë deri në vitin e ardhshëm.

Këshilli Studentor i Fakultetit të Edukimit, protestoi sot kundër vendimit për mbylljen e tetë programeve të këtij fakultetit në tri  qendra të Kosovës. Kryetari i këshillit studentor, Petrit Dërguti tha se Fakulteti i Edukimit ka nevojë për hapje të programeve, e jo për mbyllje të tyre.

Janë munduar që fluksin e madh të studentëve që aplikojnë në fakultetin e edukimit, t’i imponojnë që të shkojnë në fakultetin e shkencave që imponimi është kundër çdo rregulle të paraparë me ligj”, tha ai.

Protestuesit kanë marshuar drejt Ministrisë së Arsimit dhe Agjencisë së Akreditimit. Gjatë një takimi të përbashkët ndërmjet zyrtarëve të Minsitrisë së Arsimit, Rektoratit të UP dhe dekanit të Fakultetit u arrit marrëveshja që studimet në këtë fakultet në tri qendra Prishtinë, Gjakovë dhe Gjilan të vazhdojnë deri në vitin e ardhshëm. Programet që ishin paraparë të mbyllen në këtë fakultet janë: Matematikë, Gjuhë e Letërsi Shqipe, Gjuhë Angleze, Gjeografi, Edukatë Qytetare, Histori, Biologji, Kimi-Fizikë.  Mbyllja e tyre prek mbi 11 mijë studentë.