Lajme Shqip Thursday, 14 July 2011 13:47

Prshtinë (Plotësuar 14:31 h) – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, tha pak më parë në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit, se kërkesat e opozitës për pezullim të dialogut teknik me Serbinë janë kërkesa për izolim e konfrontim të Kosovës.

“Kërkesa për pezullim të dialogut si vlerë edhe e popullit tonë dhe vlerë auroatlantike, është kërkesë për izolim ndërkombëtar të Kosovës, është kërkesë për konfrontim me BE-në, NATO-n dhe SHBA-të”, theksoi kryeministri Thaçi.

Ai tha se “Qeveria e Republikës së Kosovës ka hyrë tash në këtë dialog ndërshtetëror për çështje teknike si shtet dhe është duke u sjellur si shtet”.

“Për herë të parë institucionet dhe zyrtarët e Kosovës ulen në nivel të barabartë me institucionet e zyrtarët e Serbisë si përfaqësues të shtetit të Kosovës”, shtoi Thaçi.

“Ky dialog pra është i palëve të barabarta, dhe kështu do të jetë sot dhe do të jetë nesër e në të ardhmen”, tha ai.

 

***************************************

Prishtinë – Debate të ashpra e kanë karakterizuar edhe të enjten seancën e Kuvendit të Kosovës, në të cilën në rend të ditës ishte diskutimi rreth bisedimeve që po zhvillohen midis Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel.

Tri grupet parlamentare opozitare, LDK, Vetëvendosje e AAK, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, e cila po vazhdon, kërkuan pezullim të bisedimeve teknike me Serbinë.

“Propozojmë që Kuvendi i Republikës së Kosovës të marrë vendim për pezullimin e bisedimeve Kosovë-Serbi dhe të mos pranohen tri të ashtuqujtura konkluza si detyruese për Kosovën”, tha kryetari i grupit parlamentar të LDK, Ismet Beqiri, pasi i vlerësoi konkluzat “të dëmshme e kthim prapa”.

Ai kërkoi që ky rekomandim në fund të debatit të hidhet në votim.