Lajme Shqip Tuesday, 05 July 2011 18:53

Prishtinë – Organizata e Konferencës Islamike (OKI), në sesionin e 38 të Këshillit të Ministrave të Jashtëm, të zhvilluar në Astana të Kazakistanit, miratoi një Rezolutë për situatën në Kosovë.

OKI-ja në pikën e tetë të Rezolutës, për herë të parë u bën thirrje të gjitha shteteve anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike që të marrin në konsideratë njohjen e Kosovës, duke u bazuar në të drejtat e tyre të lira dhe sovrane si dhe përputhje me praktikat e tyre kombëtare, njoftoi sot pasdite MPJ kosovare.

Bëhet e ditur se po ashtu, kjo Konferencë, me Rezolutën e aprovuar, njeh plotësisht Opinionin Këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë  për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, i publikuar me 22 korrik 2010, në të cilin Gjykata ka konkluduar se Shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur as ligjet e të drejtës ndërkombëtare e as rezolutat relevante.

Në këtë sesion të Konferencës ishte prezent edhe ekipi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, i udhëhequr nga Beqiri Ismaili, këshilltar i jashtëm i Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj dhe i Ngarkuari me Punë i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Arabisë Saudite, Rexhep Boja dhe shënon një hap të rëndësishëm drejt njohjeve që rezulton nga Strategjia për njohje e miratuar nga Qeveria e Kosovës.

Në Rezolutën numër 17/38, Organizata e Konferencës Islamike nënvizon progresin e bërë nga Kosova për forcimin e demokracisë dhe punën institucionale në të gjitha nivelet në shërbim të paqes dhe stabilitetit në vend dhe në tërë rajonin.

Në Rezolutë, OKI-ja mirëpret anëtarësimin e Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore dhe përpjekjet e vazhdueshme të Unionit Evropian për të avancuar perspektivën evropiane të Kosovës dhe tërë Ballkanit Perëndimor, duke dhënë në këtë mënyrë kontribut vendimtar për stabilitetin dhe prosperitetin në rajon.

OKI-ja mbështet procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me lehtësimin e Bashkimit Evropian për çështje teknike, si kërkesë e Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, 64/298.

Organizata, po ashtu, mirëpret bashkëpunimin e Kosovës me institucionet ekonomike dhe financiare të OKI-së, dhe thërret komunitetin ndërkombëtar, përfshirë vullnetin e mirë të shteteve anëtare të OKI-së, që të vazhdojnë kontributin e tyre për mirëqenien ekonomike të Kosovës.

Në rezolutën e miratuar në këtë sesion të Këshilli të Ministrave të Jashtëm të OKI-së, kërkohet nga Sekretari i Përgjithshëm i saj, që në sesionin e ardhshëm të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të OKI-së të sjellë të një raport përcjellës për progresin e kësaj rezolute.

Organizata e Konferencës Islamike, është organizata e dytë më e madhe ndër qeveritare pas Kombeve të Bashkuar, me gjithsej 57 shtete anëtare nga katër kontinente të ndryshme.