Lajme Shqip Friday, 22 April 2011 11:40

Prishtinë – Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, i ka dërguar një urim Presidentes së re të Republikës së Kosovës, zonjës Atifete Jahjaga.

Në letrën e urimit të Presidentit Barack Obama, sipas njoftimit të dhënë pak më parë nga Presidenca e Kosovës, thuhet se, “Ju përgëzoj për zgjedhjen tuaj si Presidente e Republikës së Kosovës. Zgjedhja juaj, me mbështetjen e partive më të mëdha në koalicionin qeverisës si dhe në opozitë, paraqet pjekurinë politike në rritje të Kosovës dhe statusit të saj në rritje si demokraci të bazuar në barazi për të gjithë”.

“Shtetet e Bashkuara mbesin mik i patundur i popullit të Kosovës. Ne do të mbështesim të gjitha përpjekjet që ju ndihmojnë juve në rrugën përpara drejt qëllimeve të përbashkëta të integrimit të plotë të Kosovës në institucionet euroatlantike dhe ato ndërkombëtare. Në veçanti, ne do të vazhdojmë të punojmë me institucionet tuaja për të avancuar reformat e nevojshme për ndërtimin e një demokracie gjithëpërfshirëse dhe shumetnike, për forcimin e ekonomisë së Kosovës dhe sundimin e ligjit”, theksohet në letrën e urimit.