Lajme Shqip Friday, 22 April 2011 10:50

Prishtinë – Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën e sotme plenare miratoi me shumicë votash Komisionin për amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Komisionin për amendamentimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës.

Votimi iu hap rrugë ndryshimeve të caktuara në Kushtetutën e miratuar para tre viteve, pas shpalljes së pavarësisë më 17 Shkurt 2008 dhe ndryshimeve të ligjit zgjedhor që pritet të rezultojnë me zgjedhjen e presidentit të Republikës me votim nga populli në zgjedhje presidenciale, si dhe me më shumë zona zgjedhore në zgjedhjet parlamentare, ndërkohë që Kosova deri më tani e zgjidhte presidentin në Kuvend dhe në një zonë zgjedhore.

Miratimi i komisioneve për Kushtetutën dhe për ligjin zgjedhor, me 76 vota pro, 6 kundër e 4 abstenime, pason Rezolutën e 7 prillit të mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, në të cilën Atifete Jahjaga u zgjodh presidente e Republikës.

Rezoluta ishte në mbështetje të Memorandumit të Marrëveshjes PDK-LDK-AKR, rezultat i së cilës ishte edhe zgjedhja e presidentes konsensuale. Në memorandumin e nënshkruar nga liderët e këtyre partive theksohej se “ne pajtohemi që zgjedhjet e para presidenciale në Republikën e Kosovës do të mbahen jo më vonë se 6 muaj nga data në të cilën ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe legjislative hyjnë në fuqi”.

Në seancën e sotme plenare të Kuvendit, ndër 12 pikat e rendit të ditës është edhe zgjedhja e guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, për të cilin votohet me votim të fshehtë.