Lajme Shqip Thursday, 19 May 2011 14:37

Prishtinë – Drejtoria e Inspeksionit të Komunës së Prishtinës, ka bërë ndërprerjen e punimeve në 12 banesa kolektive në disa lagje të kryeqytetit. Inspeksioni komunal sektori i ndërtimit, vendosi shirita për ndërtimin e disa objekteve kolektive në lagjet: “Tophane”, “Arbëria”, “Kalabria” dhe “Mati I”, për arsye se numri i investitorëve të ndërtesave kolektive në këto lagje, nuk i plotësonë të gjitha kushtet për të vazhduar me ndërtim.

Punëtorët e një ndërtimi kolektiv në lagjen “Tophane” thonë se ata i kryejnë punët e tyre ashtu siç u është caktuar. Një nga ta thotë se investitori u ka thënë se kanë leje për ndërtim.

“Unë e di që ai i ka paguar krejt dhe në mënyrë të rregullt është duke shkuar. Kemi filluar punë që një javë, ne punojmë për para. Jemi 20 punëtorë”, tha ai.

Aksioni vazhdoi edhe në lagjen “Kalabria”.

Obligimet e investitorëve të kompanive të ndërtimit ndaj Komunës së Prishtinës janë të larta, e në shumë raste është paguar vetëm kësti i parë eventualisht kësti i dytë, thotë ushtruesi i detyrës së drejtorit  Inspekcionit dhe zëdhëns i komunës, Muhamet Gashi.

“Në rast se vie deri të heqja e shiritit atëherë do të shkohet me procedurën e ekzekutimit. Borxhi është i lartë, por nuk mund ta them saktësisht sepse ato variojnë prej lagjes në lagje, apo prej objektit në objekt”, ka thënë ai.

Ndërprerja e punimeve në ndërtesat kolektive është bërë në asistencë të Policisë së Kosovës dhe Policisë së EULEX-it.