Lajme Shqip Thursday, 14 April 2011 14:57

Prishtinë – Seanca gjyqësore ndaj Fahredin Gashit – Farukut dhe Hysri Ramës, i njohur si rasti “Bllaca”, ka vazhduar me paraqitjen e dëshmisë së Nazim Bllacës, i cili sërish është marrë në pyetje nga mbrojtja, sipas të cilëve në deklaratat e Bllacës ka kundërthënie dhe janë krejtësisht të pabazuara.

Avokatët me pyetjet e tyre edhe një herë i janë kthyer takimit të Nazim Bllacës me Azem Sylën në shkurt të vitit 2007.

Ata prezantuan si provë tekstin e një marrëveshje të lidhur ndërmjet Nazim Bllacës, Shpresim Ukës, Shaban Sylës dhe Osman Bllacës. Sipas mbrojtjes në tekst shkruan se qëllimi i takimit ishte nënshkrimi i një marrëveshjeje për çështje të borxhit prej 84 mijë eurove.

Duke u bazuar në këtë, mbrojtja ka vlerësuar se kur njerëzit futen në krizë të madhe, ata janë në gjendje të bëjnë çdo gjë, madje edhe shantazhe e vrasje për të dalë nga situata. Pyetjes së Rrecajt se si dëshmitari është plagosur gjatë luftës, nëse plagosja e tij kishte qenë në ndonjë operacion luftarak me forcat serbe, ati i është kundërpërgjigjur prokurori Salustro, duke thënë me tonë të lartë se cila është rëndësia e kësaj pyetje.

Sjellja e prokurorit ka bërë që në këtë moment një nga familjarët e të akuzuarit Fahredin Gashi të ngritet nga vendi dhe të shkojë në drejtim të prokurorit, duke i thënë: “Ani pse po bërtet?”. Pas shumë kundërshtimesh të prokurorit Salustro, trupi gjykues ka lejuar dëshmitarin që të përgjigjet në pyetjen e parashtruar.

Duke marrë parasysh deklaratat e dëshmitarëve të familjes Gashi, të cilët kishin thënë se në natën kritike kur ishte vrarë Salih Gashi nga të dy personat që kishin qenë në shtëpinë e tyre, njëri ishte më i gjatë e tjetri më i shkurt për 30 cm, avokati propozoi që të krahasohet gjatësia e të akuzuarit Fahredin Gashi dhe dëshmitarit Nazim Bllaca.

Mbrojtja po ashtu ka vënë në dyshim faktin se Bllaca mund të ketë qenë ndonjëherë pjesëtar i strukturave të SHIK-ut, pasi ai nuk kishte prova për ta dëshmuar këtë gjë.

Pohimin e Bllacës se ai mund të sjellë kartelën në seancën e ardhshme gjyqësore dhe më pas arsyetimin se ndoshta kartela mund t’i ketë humbur për shkak se në shtëpinë e tij shpeshherë ka pasur prezencë të forcave policore, avokati Kolë Krasniqi i quan mungesë të provave materiale.

Për më tepër, Krasniqi thotë se edhe trupi gjykues ka dyshime në lidhje me atë se Bllaca mund të ketë qenë i pajisur ndonjë herë me kartelë të strukturave të SHIK-ut.Seanca e ardhës ndaj të akuzuarve Fahredin Gashit – Faruku dhe Hysri Ramës, do të vazhdojë më 12 maj me dëshminë e Nazim Bllacës.