Lajme Shqip Wednesday, 11 May 2011 20:46

Prishtinë – Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Komisionin e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Pierre Mirel, vlerësoi sot se “Kosova është model i demokracisë multietnike”.

Gjatë konferencës me temë “BE-ja dhe përfshirja e Romëve, Ashkalinjëve dhe Egjiptianëve – një hap përpara për Kosovën”, të organizuar sot në Prishtinë, merrnin pjesë drejtori për Ballkanin Perëndimor në Komisionin e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Pierre Mirel, ministra të Qeverisë së Kosovës, ambasadorë të akredituar në Prishtinë dhe përfaqësues të komunitetit RAE.

Në fjalën e tij, zv.kryeministri dhe ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, tha se integrimi dhe përmirësimi i kushteve për komunitetin rom është synim i qeverisë dhe institucioneve të Kosovës.

Kuçi u shpreh se “garantimi i të drejtave të barabarta të komunitetit rom bëhet me qëllim për përmirësimin e pozitës dhe gjendjes së komunitetit rom në Kosovë, si vend ku multietniciteti është një prej veçantive të shtetformimit tonë, gjë për të cilën jemi krenarë”.

Numri dy i qeverisë kosovare shprehu besimin se “të gjithë së bashku do të ndërtojmë modele të vlerave dhe integrimit Evropian”.

Duke vënë në dukje se përmes edukimit arrihet zhvillimi ekonomik dhe integrimi i plotë i të gjithë komuniteteve në Kosovë, e në veçanti të këtij grupi etnik i cili me dekada ka qenë i anashkaluar, zv.kryeministri theksoi se “ruajtja e identitetit kulturor dhe historik është po ashtu e rëndësishme për komunitetet dhe një gjë e tillë do të ketë gjithmonë vëmendjen e institucioneve të Kosovës”.