Lajme Shqip Thursday, 07 April 2011 15:28

Prishtinë – Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, zhvilloi sot një takim me një delegacion të Qeverisë së Malit të Zi, të kryesuar nga Zeljko Stamatoviç, drejtor për çështje konsullore në Ministrinë e Punëve të Jashtme, temë kryesore e të cilit ishte përfshirja e komunitetit malazias në Kushtetutën e Kosovës.

“I vetmi problem deri më sot është përfshirja e komunitetit malazias në Kushtetutën e Kosovës. Ne kërkojmë nga komuniteti malazias në Kosovë, që gjatë regjistrimit të deklarohen si të tillë, pasi ata kanë presion nga Beogradi lidhur me deklarimin e përkatësisë kombëtare me rastin e regjistrimit”, theksoi në fillim të bisedës, Zeljko Stamatovic.

Sipas zyrës së shtypit të Kuvendit, Stamatoviç tha se gjatë regjistrimit duhet t’i jepet mbështetje komunitetit malazias nga ana e institucioneve të Kosovës. “Komuniteti malazias në Kosovë mund të jetë urë lidhëse ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi”, shtoi Stamatoviç. Në këtë frymë, ai tha se komuniteti malazias duhet të integrohet në institucionet e Kosovës.

Kryekuvendari Krasniqi tha se njohja e komunitetit malazias edhe me kushtetutë në Kosovë është çështje kohe, sepse nuk ka asnjë arsye të mos njihet komuniteti malazias, ashtu si edhe komunitetet e tjera. “Ne presim që Kushtetuta e Kosovës të pësojë ndryshime, e në këtë kuadër edhe komuniteti malazias do të jetë pjesë e Kushtetutës së Kosovës”, siguroi ai.

“Ne jemi të interesuar për një bashkëpunim, jo vetëm nga fakti që jemi shtete e popuj fqinj, por edhe nga fakti se në dy shtetet jetojnë përkatësisht edhe komuniteti shqiptar dhe ai malazias”, theksoi Krasniqi. Ndërkaq, kur është fjala për procesin e regjistrimit të popullsisë, kreu i legjislativit të vendit tha se pjesëtarët e komunitetit malazias janë krejtësisht të lirë, ashtu si edhe pjesëtarët e komuniteteve tjera, të deklarojnë përkatësinë e tyre kombëtare.