Lajme Shqip Monday, 12 September 2011 07:36

Prishtinë – Në qendër të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinë, sonte janë ndezur qirinj në një ceremoni përkujtimore në nderim të viktimave të sulmeve terroriste të 11 shtatorit të para dhjetë viteve në SHBA. Duke shkuar drejt shkallëve para Teatrit Kombëtar për të ndezur qirinj, njerëzit, me nderimet të thella, kanë mbushur sheshet kresore Nëna Terezë dhe Skënderbej.

Qytetarët e Republikës së Kosovës janë të bashkuar në solidarizimin dhe nderimin për viktimat e 11 shtatorit dhe në dënimin e sulmeve terroriste kundër lirisë, demokracisë dhe botës së përparuar perëndimore.

“Populli i Republikës së Kosovës tashmë e ka shndërruar këtë përvjetor në ditë të kujtesës dhe respektit për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleates themeltare të shtetësisë së Kosovës”, thekson Ministria  e Jashtme e Kosovës, organizatore e ceremonisë përkujtimore.

Drejtuesit e institucioneve më të larta kosovare në mesazhet dhe deklaratat e tyre kanë rikonfirmuar vullnetin e palëkundur të Republikës së Kosovës për përmbushjen e angazhimeve të saj përkrah shteteve demokratike aleate dhe për të kontribuuar në përmbylljen me sukses të luftës kundër terrorizmit duke garantuar në këtë  mënyrë lirinë, demokracinë dhe paqen në botë.

“Institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, duke e ndjerë në çdo hap përkrahjen dhe ndihmën e vazhdueshme të SHBA-ve, janë të përkushtuara për një shoqëri njerëzore ku nuk do të ketë më asnjëherë vend për terrorizmin dhe marrjen e jetëve të pafajshme dhe janë të palëkundura për të punuar fuqishëm për një botë më të mirë”, deklaroi sot Presidentja Atifete Jahjaga.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në mesazhin e tij ka theksuar mirënjohjen e përgjithmonshme Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ndihmesën e dhënë në rrugën e lirisë dhe të ndërtimit të demokracisë së shtetit të ri, të lirë dhe të pavarur. “Qytetarët dhe institucionet e Kosovës shprehin besimin e plotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të jenë përherë në ballë të betejave për mbrojtjen e lirisë, përhapjen e demokracisë, ruajtjen e paqes dhe sigurisë në shkallë botërore”,  është shprehur kryeministrit Thaçi.