Lajme Shqip Sunday, 03 April 2011 15:36

Prishtinë – Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon koncensus në zgjedhjen e presidentit. Në të kundërtëtn nuk do ta japë votën e tij. Kështu ka thënë Isa Mustafa, kryetar i kësaj partie, të dielën pas takimit të Këshillit të Përgjithshëm Drejtues të saj.

“Morëm përkrahjen e Këshillit qendror për qëndrimet që ne kemi pasur deri më tani që janë qëndrime të njohura të LDK-së. Qëndrime që kanë të bëjnë me nevojën që të arrihet një marrëveshje mes partive parlamentare në Kuvendin e Kosovës rreth zgjedhjes së presidentit dhe zgjedhja e presidentit të jetë rezultat i një marrëveshjeje politike që do të shprehë interesat jo vetëm të subjekteve politike që janë në pozitë, por edhe të atyre që janë në opozitë, përkatësisht të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha Isa Mustafa, Kryetar i LDK-së.

I pyetur se a do të përkrahë LDK-ja kandidaturën e Behxhet Pacollit për president, Mustafa ka thënë se gjatë mbledhjes nuk i janë referuar mbështetjes së kandidaturave.

“Ne nuk iu kemi referuar mbështetjes së kandidaturave të çështjeve të veçanta, por çështjeve parimore, që kanë të bëjnë me uljen në një tryezë me subjektet politike për t’u marrë vesh me këto çështje. Qëndrimi do të jetë ai që ka qenë deri më tani”, tha Isa Mustafa, Kryetar i LDK-së.

Sa i përket gatishmërisë së LDK-së për të marrë pjesë në rast se mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme, Mustafa është shprehur se subjekti politik që ai drejton është i gatshëm për çdo proces politik, ndërsa nuk ka bërë të ditur nëse LDK-ja do të bojkotojë seancën ku do të bëhet zgjedhja e presidentit.

“Zgjedhjet e jashtëzakonshme janë politike dhe për çdo proces politik ne jemi të gatshme”, tha Isa Mustafa, Kryetar I LDK-së.

Ndryshe, LDK kishte bojkotuar seancën e Kuvendit më 22 shkurt, në të cilën u bë zgjedhja e Behgjet Pacollit për president. Gjykata Kushtetuese mospraninë e opozitës në seancën e 22 shkurtit e kishte interpretuar si cenim të Kushtetutës, ndërsa ua ka përkujtuar deputetëve opozitarë nenet dhe rregullat, sipas të cilave ata duhet të qëndrojnë në seancë kur të votohet presidenti, por nuk i kishte urdhëruar të rrinë domosdo në seancë.

Ndërkohë, po gjatë ditës është bërë e ditur se edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, një parti tjetër në opozitë, është deklaruar se nuk ka lëvizur nga qëndrimi i mëparëshëm. Ajo nuk do ta votojë Pacollin për president dhe nuk do të marrë pjesë në seancë.