Lajme Shqip Tuesday, 12 April 2011 12:01

Prishtinë – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot ambasadorin shqiptar në Prishtinë, Islam Lauka, i cili i përcolli urimet e drejtuesve të institucioneve më të larta të Republikës së Shqipërisë.

“Lobimi për njohje të reja për Republikën e Kosovës dhe për anëtarësimin e saj në shumë iniciativa rajonale, si dhe në institucionet ndërkombëtare, janë fusha ku Republika e Shqipërisë mund të ndihmojë shumë dhe në këtë drejtim duhet një koordinim i vazhdueshëm mes institucioneve të të dy vendeve”, theksoi Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Presidentja Jahjaga, sipas burimeve zyrtare nga Presidenca kosovare, gjithashtu vuri në pah marrëdhëniet e shkëlqyera mes të dy vendeve, që kanë një bashkëpunim shumë të mirë në të gjitha fushat, bashkëpunim ky që duhet të intensifikohet edhe më tej.

Nga ana e tij, ambasadori Lauka percolli urimet e Presidentit Bamir Topi, Kryeministrit Sali Berisha dhe kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli dhe shprehu bindjen se Presidentja e re e Kosovës do ta kryejë me shumë sukses këtë detyrë.