Lajme Shqip Tuesday, 10 May 2011 12:19

Prishtinë – Çështja e misionit të EULEX-it në Kosovë, edhe më tej vazhdon të jetë në qendër të politikës kosovare.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, konsideron se drejtuesit e institucioneve të Kosovës, kanë të drejtë të kërkojnë përgjegjësi nga ana e misionit EULEX.

Kryeparlamentari tha se EULEX-i duhet t’i kryejë detyrat për të cilat është caktuar dhe për të cilën arsye edhe është i pranishëm në Kosovë.

Sipas tij, EULEX duhet t’i ridizajnojë veprimet.

Ditë më parë, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së u ka bërë thirrje të gjithë veteranëve të luftës që të mos e njohin autoritetin e EULEX-it në Kosovë dhe të mos u përgjigjen ftesave të zyrtarëve të këtij misioni për të dhënë deklarata.

Këto qëndrime nga ana e veteranëve lindën pas hetimeve të fundit që EULEX po kryen ndaj ish-luftëtarve të UÇK-së.

Lidhur me këtë Krasniqi, tha se EULEX-i nuk duhet ta ketë si prioritet çështjen e hetimeve ndaj ish-pjesëtarve të UÇK-së, por atë të sundimit të ligjit.

Ndërkaq, sa iu përket deklaratave të kryetarit të Prishtinës, Isa Mustafa, kundrejt Policisë së Kosovës, Krasniqi tha se çdo lider ka të drejtë të kërkojë sundimin dhe rendin e ligjit.