Lajme Shqip Monday, 04 June 2012 15:02

Prishtinë (PLOTESUAR 23:00)- Pas zhvillimeve aktuale rreth Universitetit të Prishtinës, Këshillit Drejtues i këtij institucioni në mbledhjen e mbajtur pas dite ka vendosur që të formojnë një komision hetimor lidhur me procedurën dhe vërtetësinë e mirënjohjes së marrë nga Samitin e Cilësisë, por edhe për qartësimin e keqpërdorimeve të mundshme gjatë vizitës në SHBA.

Lajmin e bëri të ditur anëtari i këshillit drejtues, Milazim Krasniqi, i cili ka thënë për Kosovapress se ky komision ka për detyrë që brenda një jave t’i paraqes raport këshillit drejtues lidhur me këto çështje.

Kurse, sa i përket shkrimeve të fundit lidhur me keqpërdorimet e mundshme në UP, Krasniqi thotë se anëtarët e këshillit kanë diskutuar me tone shumë kritike ndaj punës së menaxhmentit të cilat kanë rezultuar me vendimine për hetime, i cili hap rrugë qartësimit të keqpërdorimeve eventuale që mund të ketë pasur gjatë udhëtimit për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Rugova: S’e bleva çmimin

Drejtuesit e Universitetit të Prishtinës në një konferencë për media kanë arsyetuar marrjen e çmimit për cilësi nga Samiti i Cilësisë, duke thënë se nuk e kanë blerë çmimin, por kanë kryer obligimet e anëtarësimit në këtë asociacion.

Kurse, sa i përket shpenzimeve, kanë thënë se mediat kanë shpifur, madje paralajmëruan se do t’i padisin në gjyq. Rektori i Universitetit të Prishtinës, Mujë Rugova tha se janë lauruar nga samiti me çmimin më të lartë, medaljen e artë për cilësi dhe menaxhim në bazë të punës, në bazë të sondazheve që i ka bërë samiti i cilësisë, i cili është samit botëror.

Ai shtoi se është një sukses shumë i madh ky çmim pasi që në momentin e ndarjes së mirënjohjes dhe largimin e delegacionit serb por edhe shtetet e tjera që nuk e kanë njohur e as nuk duan ta dëgjojnë emrin e Kosovës.

“Dokumentet që i kemi përpara, drejtpërdrejt nga samiti, janë dëshmi dhe vetë sasia e mjeteve të shpenzuara janë dëshmi se ky menaxhment që nga fillimi është i interesuar të përfundon me shumë syçelëti për çdo lekë që harxhohet, por qëndron edhe kjo se që nga dita e parë ne kemi pas një reaksion të shprehur”, ka thënë Rugova.

Rektori Rugova po ashtu tha se ka pasur probleme me Serbinë me burgosje, rrahje e të tjera, por, siç tha ai, këso lloj përgojimesh dhe përpjekjesh për ta denigruar çdo gjë që është arritur në UP nga mediat nuk ka përjetuar.

Ai shkoi edhe me larg duke kërcënuar mediat publikisht, duke thënë se, në bazë të dokumentacionit që posedojnë, të gjithë ata të cilët kanë shpifur do të dalin para gjyqit, sikurse edhe vetë menaxhmenti i UP-së, nëse janë bërë keqpërdorimet.

Ndërsa, zëvendësrektori për marrëdhënie ndërkombëtare, Naser Mrasori, e mbrojti asociacionin që ka ndarë çmimin, duke thënë se nuk është një organizatë fantome e as që shet mirënjohje, siç është shkruar, por është një organizatë që ruan prestigjin e vet që 27 vite me radhë.

“Hulumtimi i këtij institucioni për të ndarë një çmim të tillë ka qenë me një periudhë të gjatë, nuk ka qenë brenda natës, siç është shkruar nëpër gazet,a apo që është shkruar me aplikime dhe të laurohen njerëzit brenda pesë minutash. Këtu ka qenë një garë nga 178 vende, në samit kanë marr pjesë 117 vende, kurse janë nderuar 40 institucione, ka pasur kompani prestigjioze, ka pasur institucione shumë prestigjioze, që nuk është përzgjedhur nga ne, por është përzgjedhur nga 178 shtete”, ka thënë Mrasori.

Edhe Mrasori akuzoi mediat duke thënë se kanë luajtur një rol destruktiv që nga dita e parë kur kanë ardhur. Kurse, zëvendësrektori për çështje financiare, Enver Kutllovci tha se mjetet që janë derdhur në konton e asociacionit nuk kanë qenë për blerjen e çmimit por Universiteti i Prishtinës është i anëtarësuar në asociacion dhe për çdo vit paguan nga 3900 euro.

“Për shtatë ditë 385 euro për qëndrimin në Amerikë edhe rektori edhe prorektori kanë shpenzuar, 985 euro e 66 cent dhe janë kthyer, nga 7 mijë janë kthyer 6014 euro, se të thuhet dhe të abuzohet dhe të apelohet është pak për me u tmerruar por sikur ata që mendojnë se kanë fakte për keqpërdorime, ne mendojmë se kemi fakt për shpifje”, ka thënë ai.

Ai ftoi institucionin e prokurorisë që të hetojë në kuptimin që ka apo nuk ka shkelje të tilla. Ditë më parë, Universiteti i Prishtinës është vlerësuar me medaljen e artë për cilësi, ndërsa sot ky asociacion ka dërguar vendimet e samitit të cilësisë, ku shkruan për artikujt që janë dhënë në Kosovë, duke shprehur shqetësimin për uljen e prestigjit të këtij asociacioni dhe duke shtuar që do të vijë dhe t’i paditë mediat që sipas tyre kanë shpifur por gjithashtu kanë sjellë përgjigje zyrtare lidhur me mënyrën dhe procedurën se si është zgjedhur Universiteti i Prishtinës. (LajmeShqip.com)

***************************************************

Prishtinë – Disa anëtarë të Këshillit Drejtues, në mbledhjen e sotshme, pritet të kërkojnë sqarime për gjendjen në Universitet dhe për blerjen e një çmimi ndërkombëtar.

Burime të Express thonë se në këtë mbledhje mund të iniciohet procedura e shkarkimit të Rektorit Rugova. Rektori i UP-së, Mujë Rugova, sot rreth orës 15, do të dalë para kolegëve të tij, ku pritet të japë shumë sqarime. Por për të shkuar në punë e në këtë mbledhje, atij do t’i duhet së pari të kalojë nëpërmjet shumë studentëve, të cilët pritet të protestojnë para Rektoratit. 

Para nëntë anëtarëve të Këshillit Drejtues të UP-së, Rugova duhet të rrëfejë edhe dyshimet më të fundit se çmimin për cilësi që e ka marrë në emër të këtij institucioni të arsimit të lartë publik në vend, e ka paguar me para dhe jo siç është prezantuar, si e arritur e UP-së. (LajmeShqip.com)