Lajme Shqip Thursday, 12 May 2011 14:21

Prishtinë – Në dy takime ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe Komisionit Evropian është mundësuar shqyrtimi i progresit që ka bërë Kosova, që nga raporti i fundit i progresit, në nëntor të vitit 2010.

Pjesëmarrësit identifikuan hapat që Kosova duhet të ndërmarrë që të përafrohen edhe më shumë me standarde të BE-së. Takimet ishin pjesë e dialogut të rregullt që mbahet në kuadër të Dialogut të Procesit të Stabilizim-Asociimit.

Sipas Zyrës ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Prishtinë, në takimin e parë të mbajtur më 11 maj në Bruksel është diskutuar një spektër i gjërë i temave si: zhvillimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, kapaciteti administrativ i organizatave tatimore dhe doganore në Kosovë dhe çështje që kanë të bëjnë me tregtinë dhe investimet.

Më 12 maj, në diskutime u përfshinë çështjet nga politikat e punësimit dhe mirëqenies sociale e deri te arsimi, hulumtimi, rinia si dhe promovimi dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore. Konkludimet përcjellëse të këtyre takimeve do të kenë ndikim në progresin e Kosovës në rrugën drejt integrimeve evropiane si dhe do të pasqyrohen në Raportin e Progresit për vitin 2011.

Këto takime janë bashkëkryesuar nga Ministria e Integrimeve Evropiane dhe Drejtoria e Përgjithshme e Komisionit Evropian për Zgjerim. Autoritetet e Kosovës rikujtuan rëndësinë e agjendës së BE-së për adresimin e sfidave të ardhshme të Kosovës, përfshirë këtu përmirësimin e kapaciteteve administrative.